Në orët e para të mëngjesit, të 25 tetorit të vitit të kaluar, duke u kthyer nga një dasmë në Maqedoni, vetura e Besnik Mustafës, djalit të Kryeministrit Isa Mustafa, është përplasur me një veturë tjetër. Policia e ka falsifikuar raportin që i bënte fajtorë të dyja palët për aksidentin, ndërkohë që Prokuroria ka rënë viktimë e politikës duke i pushuar hetimet ndaj djalit të Kryeministrit.
Azizi dhe Arbeni, në tetorin e vitit të kaluar, ishin goditur me veturë nga djali i kryeministrit të Kosovës, Besnik Isa Mustafa, derisa po shkonin në punë në Magjistralen Prishtinë – Ferizaj.p
Ky i fundit, sipas tyre, përveç se kishe bërë tejkalim të shpejtësisë, nuk kishte marrë mundin të ndalet farë në vendin e aksidentit. Të paktën kështu thonë vetë të aksidentuarit.
Derisa në raportin e Policisë, të siguruar nga Gazeta Express, thuhet vetëm se Besniku kishte bërë shkelje të rregullave të komunikacionit, duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar. I njëjti raport nuk tregon fare faktin, siç pretendojnë të aksidentuarit, se Besnik Mustafa ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Aty jepen detaje të aksidentit, ku edhe tregohet se vetura e të aksidentuarve ishte duke u kthyer majtas dhe është goditur nga vetura BMW, e vozitur nga Besniku.
Në këtë raport, përgjegjësia për aksidentin iu ndahet të dy palëve, ndërkohë që fjalisë ku flitet për tejkalimin e shpejtësisë nga ana e veturës së drejtuar nga djali i Kryeministrit, i është rënë vijë.
Rrëfimi i të aksidentuarit, Aziz Ujkani
Gazeta Express ka kontaktuar me 65 vjeçarin Aziz Ujkanin,. Ai ka rrëfyer tërë ngjarjen e ndodhur pesë muaj më parë. Ai i ka thënë gazetës se nga ajo ditë e deri më tani nuk ka mundur të shkojë fare në punë.
“Më 25 tetor të vitit të kaluar, në ora 06:15 në mëngjes, ne kemi qenë të parkuar para pompës së benzinës, është një restaurant i vogël “Standard”, përtej udhëkryqi të Lipjanit atje. Ne kemi qenë të ndalur për me prit për me u kthy në pompë, ka ardh djali Isa Mustafës, Besniku dhe na ka goditur me veturën e tij BMW”, thotë Ujkani.
Ai dyshon se Besniku në momentin e aksidenti ka qenë i dehur.
“…atë ditë ka qenë duke u kthyer prej një dasme nga Shkupi, ka qenë në dasmë tërë natën në Shkup, i pimë. Policia e ka shkruar proces verbalin që ka qenë i dehur, por mandej në proces verbal shënon që i kanë meshuar vi, dmth ka intervenuar dikush i madh edhe i kanë mëshuar vi”, tregon ai.
Ujkani ka thënë po ashtu se është hatëruar edhe me familjarët e kryeministrit, të cilët, thotë ai, nuk janë interesuar farë këtë rast.
“Kurrë hiç, Isa Mustafa as që e ka çu telefonin, as djali as ai. Kafshë me qenë ai u dashtë me çu telefonin edhe për ata nuk ia fjali. Ai nuk më është lajmuar kurrë, as nuk ka thirre në telefon. Veç ditën e dytë të aksidenit ka ardhur dikush nga familja e kryeministrit Mustafa, dhe mu ka lutur që rastin të mos e bajë të madh”, ka thënë ai.
Aziz Ujkani, që tani vazhdon të qëndrojë i shtrirë në shtëpinë e tij në Vushtrri, ka treguar se për disa muaj nuk ka mundur të skojë as në wc për t’i kryer nevojat personale.
“2 muaj kam qenë me pelena si fëmija, e 3 muaj e gjysmë me atë katedrën. Tash e kam fituar edhe trombozën, e din çka është, është shumë e rrezikshme, prej saj mundet njeri edhe me vdekë mos mi ndjetë gati”.
“10 ditë kam qëndruar në kirurgjinë vaskulare në Prishtinë, me trombozë që është shkaktuar. Krejt janë dokumentet, i ka avokati”, thotë ai.
Ujkani ka treguar se nuk do të heqë dorë nga çfarëdo vendimi që jepet nga institucione e sigurisë. Derisa thotë se do të kërkojë edhe dëmshpërblim.
“Unë mas pari kërkoj dëmshpërblim për vuajtjet që kam hek, edhe për pak nuk pranoj hiç. se i di vuajtjet e mia. A me ja fal atij kurrë nuk ja fali”, thotë Ujkani.
Prokuroria e liron nga kallëzimi penal Besnik Mustafën
Nga ana tjetër, Prokuroria e Shtetit ka treguar për Gazetën Express se Prokuroria Themelore e Prishtinës, pasi ka kryer ekspertizën dhe ka marrë konstatimet e mjekësisë ligjore, më 4 mars 2016 ka hedhur poshtë një pjesë të kallëzimit penal të paraqitur në Policinë e Kosovës, më 06 nëntor 2015.
Prokuroria konfirmon se pjesa e kallëzimit penal që u hodh poshtë nga Prokurori i rastit është ajo ndaj Besnik Mustafës, djalit të Kryeministrit, ndërsa kundër të pandehurit tjetër Arben Ujkani ka vazhduar procedurën e rregullt penale, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale: Rrezikimi i trafikut publik, nga neni 378 par. 6 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke u bazuar në prova dhe fakte, në ekspertizën e komunikacionit, si dhe duke vlerësuar konstatimin nga Mjekësia Ligjore kundër të pandehurit A.U. ka ngritur aktakuzë, pasi që në bazë të këtyre provave rezulton se i pandehuri A.U. ka qenë shkaktar i ndodhjes së këtij aksidenti të komunikacionit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
“Lidhur me pyetjen Tuaj se a është larguar B.M. nga vendi i ngjarjes, Ju informojmë se sipas kallëzimit penal është konstatuar se A.U., pasagjeri i tij dhe B.M. pas aksidentit janë dërguar në QKUK”, pretendon zëdhënësja e Prokurorisë Liridonë Kozmaqi, në përgjigjet e saj me email për Gazetën Express.
Tutje sipas zëdhënëses Kozmaqi, lënda në fjalë është punuar vetëm në bazë të provave, siç janë incizimet e ngjarjes së drejtpërdrejt, të cilat i posedojmë si prokurori në CD, foto-dokumentacione, si dhe në ekspertizën e komunikacionit ku vet eksperti ka bërë analizën e rastit lidhur me çdo detaj.
“Gjithashtu, Ju informoj se prokurori i rastit lëndën e ka punuar me përkushtim të njëjtë si çdo rast tjetër, bazuar në prova, ekspertiza të prezantuara dhe as që e ka ditur se bëhet fjalë për djalin e kryeministrit, pasi që prokuroria i trajton të gjitha rastet në mënyrë të barabartë, objektiv dhe pa paragjykime për të gjithë personat pavarësisht gjinisë, racës, prejardhjes kombëtare apo sociale, besimeve fetare apo pozitës shoqërore”, ka përfunduar Prokuroria e Shtetit përmes zëdhënës Liridonë Kozmaqi.
Mustafa nuk flet për rastin
Protagonisti kryesor i këtij aksidenti, të ndodhur 6 muaj më parë, Besnik Mustafa nuk ka folur fare për rastin.
Gazeta Express tani e disa ditë është duke bërë përpjekje që të marrë një version të tij për rastin, por kjo ka qenë e pamundur.
Gazeta ka telefonuar atë në telefon, por përgjigje e parë ka qenë se thirrja është gabim dhe se ky nuk është telefoni i Besnikut. Këtë numër ai e ka si kontakt në kompaninë MECKAR, ku edhe është pronar.
Besniku nuk ka kthyer përgjigje edhe në pyetjet e dërguar në e-mail dhe Facebook.
Gazeta Express posedon edhe një padi të ngritur nga avokati i Aziz dhe Arben Ujkanit ndaj Besnik Mustafës, në të cilën kërkohet që të behet kompensimi i dëmeve materiale.
Në këtë padi, të bërë përmes kompanive të sigurimeve, në të cilën është e regjistruar vetura e Besnikut, paditësit kërkojnë që të bëhet kompensimi i dëmeve materiale në vlerë prej afro 5 mijë eurove. /Gazeta Express/.