Arjen Robben e pranon se dëmtimi i javëve të fundit e ka komplikuar situatën duke theksuar se është i paduruar për të nisur sa më parë fazën e rikuperimit në palestër. Sulmuesi i Bayern Munchen nuk luan që prej transfertës së Dortmundit për shkak të një problemi fizik duke u kufizuar në vetëm 22 paraqitje sezonale. Në një intervistë dhënë për të përditshmen “Kicker”, Robben nuk di të japë një datë të saktë për rikthimin në fushë pasi problemet me muskujt e barkut vazhdojnë ta pengojnë për t’u stërvitur i qetë.
“Është vërtetë freustruese sepse përpara dëmtimit po gëzoja një formë shumë të mirë dhe shpresoja të luaja në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit”, thekson sulmuesi holandez. Në rast se mjekët nuk do të arrijnë të bëjnë asgjë për rikuperimin e shpejtë të Robben, atëherë Bayerni i Mynihut mund të humbasë deri në fund të sezonit një nga lojtarët më jetikë të skuadrës së Pep Guardiolës. Arjen Robben është një prej emrave më të dashur në “Allianz Arena” për shkak të klasit dhe aftësisë që ka për të vendosur edhe i vetëm një ndeshje.


















