Disa kirurgë shumë të zotë, kanë përdorur një teknikë të zgjuar për t’i shpëtuar një burri brazilian dorën e tij nga amputimi, duke i krijuar një prerje në formë gjepi në barkun e tij, për t’ia vendosur dorën, njofton Klan Kosova.
Doktorët kishin marrë vendim që t’ia “varrosnin” dorën Carlos Mariotti’t në anën e majtë të abdomenit të tij, duke ia mbuluar me shtresën e lëkurës, pasi që ai kishte pësuar një aksident tragjik në vendin e punës, që ia kishte rrjepur lëkurën nga dora e tij, shkruan Daily Mail, transmeton Klan Kosova.
42 vjeçarit i cili jeton në Orleans, në jug të Brazilit, do t’i duhet ta mbajë dorën e tij të dëmtuar në barkun e tij, për gjashtë javë.
Doktori ortopedik, Boris Brandao, i cili e ka kryer këtë operacion kaq të rrallë, ka thënë se Mariotti kishte pësuar një lëndim në gjymtyrë, që e kishte lënë pa lëkurë pjesën e sipërme të dorës dhe pëllëmbën pa lëkurë, aq sa mund t’i shiheshin edhe kockat. Nëse s’do të kryhej kjo procedurë, thonë mjekët, mundësia për infeksion ishte shumë e madhe dhe dora duhej të amputohej.
Ndërsa, Mariotti që po qëndron në spitalin Santa Otilia, ka thënë se ndjehet shumë me fat që ka arritur ta shpëtojë dorën e tij.
“Ende emocionohem shumë kur mendoj për aksidentin. Por situata ishte rënduar edhe më shumë kur mora vesh se mund ta humbisja dorën. Mirëpo kur u zgjova nga operacioni, ata më thanë që nuk ma kanë amputuar, dhe se e kishin futur dorën brenda trupit tim”.