Ministria e Tregtisë dhe Industrisë njofton se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masa të reciprocitetit për çështjen e mosnjohjes reciproke të certifikatave të ADR-së mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë mbetet në fuqi, deri në arritjen e një marrëveshjeje për njohjen reciproke me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net .
MTI, përmes kumtesës, bën me dije se spekulimet e përhapura në mediet serbe gjatë ditës se djeshme se Qeveria e Kosovës gjoja ka tërhequr masat e reciprocitetit të vendosura me 21 mars 2016, për mosnjohjen e certifikatës së ADR-së për automjetet dhe për shoferët, të lëshuara nga autoritetet Serbe për transportuesit e Serbisë të cilët realizojnë eksportin e derivateve të naftës dhe gazit në Kosovë, janë të pavërteta.
Kumtesa shton se Qeveria e Kosovës është e gatshme për zgjidhjen e problemeve bilaterale përmes dialogut dhe i bëjmë thirrje edhe njëherë autoriteteve të Serbisë që të reflektojnë ndaj kësaj situate duke arritur marrëveshje për njohjen reciproke të certifikatave përkatëse të ADR-së, me ç‘rast do të eliminohej kjo barrierë e panevojshme tregtare dhe do të mundësohej qarkullimi i lirë dhe i papenguar i mallrave dhe njerëzve.
Në fund kumtesa thekson: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit është marrë pasi që kompanitë e Kosovës që nga data 28 gusht 2015, nuk kanë mundur të importojnë derivate të naftës dhe gaz, për shkak se autoritetet e Serbisë kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-së si dhe nuk kanë qenë të gatshëm për arritjen e një marrëveshje për njohje reciproke të certifikatave të ADR-së në kuadër të Dialogut të Brukselit për të cilën është biseduar për më shumë se shtatë muaj, që bie në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë të përcaktuara me rregullat e CEFTA-s.