Gjermania i jep fund mallkimit 20-vjeçar duke fituar pas më shumë se dy dekadash një ndeshje me Italinë në një sfidë klasike të futbollit europian. Në “Allianz Arena”, Kampionët e Botës shkatërruan 4-1 Italinë e Antonio Contes që ndryshe nga sfida me Spanjën u duk një skuadër e shthurur dhe pa ide në fushën e lojës. Edhe pse një pjesë e madhe e titullarëve të Gjermanisë ishin lënë pushim nga Joachim Low, vendasit dhuruan një provë bindëse duke e gozhduar skuadrën e kaltër në gjysmëfushën e saj. Goli i parë erdhi në minutën e 24 kur Toni Kroos goditi nga distanca një top të larguar në mënyrë të gabuar nga mbrojtja mike. Pjesa e parë vazhdoi me dominimin e Gjermanisë që gjeti edhe golin e dytë me autor Mesut Oezil. Italia e demoralizuar dhe në kërkim të golit të ngushëllimit, krijoi shumë hapësira në prapavijë, duke lëshuar terren pasi në minutën e 59 Jonas Hector shënoi golin e tretë, ndërsa Ozil shtoi të katërtin duke ia lënë stafetën El Shaarawyt për golin e nderit.
Me këtë sukses, kampionët e botës arrijnë të bindin me një ndeshje pothuajse perfekte, duke fshirë zhgënjimin e shkaktuar nga humbja e pak ditëve më parë ndaj Anglisë. Në përballjen tjetër të mbrëmjes, Franca e rikthyer në “Saint Denis” që pas atentateve të nëntorit, bindi me një fitore të luftuar Rusinë. 4-2 triumfuan “Gjelat” e Deschamps duke konfirmuar momentin pozitiv. Kante, Gignac, Payet dhe Coman firmosën sukesin e “Bluve”, ndërsa në krahun tjetër Kokorin dhe Zhirkov arritën të çanin mbrojtjen vendase dy herë duke dhënë sinjale shprese për të ardhmen. Surprizën e mbrëmjes e dhuroi Holanda jep shkëndija shprese duke zbuluar dritë në fund të tunelit. Humbja me Francën shërbeu si leksion për skuadrën e Danny Blind që ngriu stadiumin “Wembley” me fitoren 2-1. Edhe pse ishullorët kaluan të parët në avantazh me Jamie Vardy, ishin Vincent Janssen dhe Luciano Narsingh që konfirmuan dominimin e portokallinjve që vazhdojnë traditën pozitive pasi nuk munden që prej 6 vitesh nga “Tre Luanët.