Lajmet

Reciprociteti i vonuar i Kosovës ndaj Serbisë

23.03.2016 17:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Reciprociteti i vonuar i Kosovës ndaj Serbisë

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për masa reciproke kundër Serbisë në fushën e transportit të naftës dhe gazit, nga përfaqësuesit e bizneseve po vlerësohet të jetë i vonuar, ndonëse i qëlluar.

Autoritetet e Serbisë, në disa raste, e sidomos pas vitit 2008, kanë paraqitur barriera tregtare për prodhuesit apo importuesit e Kosovës, derisa institucionet e Kosovës, siç thonë edhe përfaqësuesit e bizneseve, gati asnjëherë nuk iu kishin përgjigjur me masa të njëjta Serbisë.

Institucionet e Kosovës kanë treguar se vendimi i fundit për masa reciproke ndaj Serbisë kishte ardhur pasi kjo e fundit ka refuzuar të njohë çertifikatat e shoferëve dhe automjeteve kosovare që bartin materie të rrezikshme.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se bizneset në Kosovë vazhdimisht janë duke hasur në barriera tregtare që i bën shteti i Serbisë.

“Kosova sa herë që ka marrë masa të reciprocitetit ndaj Serbisë kanë krijuar efekte pozitive në favor të ekonomisë dhe biznesit të Kosovës, në kuptimin se Serbia është gjunjëzuar vetëm në këtë formë. Ne e përkrahim këtë vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ky vendim është i vonuar, por që autoritetet e Kosovës duhet të veprojnë në këtë mënyrë edhe me produktet e tjera, pasi që Serbia ka vënë barriera edhe tek mallrat tjera të Kosovës”, thotë Shahini.

Në shtator të vitit 2015, Ministria e Ndërtimtarisë Komunikacionit dhe Infrastrukturës së Serbisë, pati nxjerr një vendim me të cilën iu mundësonte kompanive kosovare të transportojnë deri më 31 dhjetor 2015, dhe të vazhdojnë transportin e derivateve të naftës dhe gazit pa pengesa.

Por, edhe përkundër këtij vendimi, kompanitë e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të importojnë derivatet e naftës dhe gazit, për shkak se autoritetet e Serbisë prapë kanë vazhduar të mos i njohin çertifikatat e ADR-së të Kosovës.

ADR-ja është çertifikatë që lëshohet nga autoritetet përkatëse për transportin e materialeve të cilat konsiderohen të rrezikshme.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës, kanë filluar zbatimin e vendimit për masa reciproke kundër Serbisë në fushën e transportit të naftës dhe gazit.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kanë kthyer prapa një maune me produkte të Serbisë.

“Vetëm dje në pikën doganore të Merdares, në kufirin me Serbinë, e kemi kthyer maunen e parë, të cilës nuk iu ka njohur çertifikata e ADR-së e lëshuar nga autoritete serbe. Për zbatimin e kësaj mase të reciprocitetit ndaj Serbisë, ne kemi bashkëpunim të ngushtë edhe me policinë kufitare”, ka thënë Stavileci.

Serbia, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila ka marrë vendimin për masa reciprociteti ndaj Serbisë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se vendimi është marrë pas përpjekjeve të shumta të Qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut.

“I bëj thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve”, thotë Bajrami.

Por, vendimi i ministres Bajrami nuk është mirëpritur nga të gjithë ministrat në Qeverinë e Kosovës. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka kërkuar që për këto vendime paraprakisht të njoftohet kabineti qeverisës.

“Nuk kam asnjë dilemë lidhur me kompetencën që e keni ju si ministre dhe ministrat tjerë, por kisha pasur dëshirë që në rastet tjera të kemi një informatë paraprake dhe të keni një pëlqim nga qeveria jo vetëm në raport me Serbinë por me cilindo shtet, se reprekrusionet në këtë rast nuk janë vetëm ekonomike, por janë edhe politike që kanë nevojë për një njohuri më të gjerë për të gjithë neve”, ka theksuar Kuçi.

Në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për tri vjet radhazi, Serbia nuk i kishte lejuar produktet kosovare të hyjnë në tregun e saj.

Kurse, në vitin 2011, si masë reciprociteti autoritetet kosovare kishin bllokuar produktet e Serbisë.

Përveç, Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA, Serbia nuk kishte respektuar edhe marrëveshjet e tjera ekonomike, që ishin arritur në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Hamza pas takimit me Kurtin: Së pari ndryshimi i Ligjit për Specialen, pastaj presidenti

Hamza pas takimit me Kurtin: Së pari ndryshimi i Ligjit për Specialen, pastaj presidenti

Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

Kurti priti në takim Hofreiter, diskutojnë për zhvillimet aktuale në vend

Kurti priti në takim Hofreiter, diskutojnë për zhvillimet aktuale në vend

FSK trajnon instruktorët për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare

FSK trajnon instruktorët për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare

KDI: Ushtrimi i detyrës së Presidentit nuk mund të zgjasë përtej gjashtë muajve, kërkohet sqarim nga Kushtetuesja

KDI: Ushtrimi i detyrës së Presidentit nuk mund të zgjasë përtej gjashtë muajve, kërkohet sqarim nga Kushtetuesja

Nesër protestohet edhe në Malmo kundër dënimit të çlirimtarëve

Nesër protestohet edhe në Malmo kundër dënimit të çlirimtarëve

Edi Rama për arrestimet e zyrtarëve: Sistemi tani lufton kundër korrupsionit

Edi Rama për arrestimet e zyrtarëve: Sistemi tani lufton kundër korrupsionit

Haxhiu shqyrton mundësinë t’i drejtohet Kushtetueses për mandatin si Ushtruese e Detyrës së Presidentes

Haxhiu shqyrton mundësinë t’i drejtohet Kushtetueses për mandatin si Ushtruese e Detyrës së Presidentes

Vitia: Avastina do të jetë shumë shpejt në Kosovë

Vitia: Avastina do të jetë shumë shpejt në Kosovë

Kurti publikon foton me Presidentin Trump: E falënderova për investimet në mbrojtje

Kurti publikon foton me Presidentin Trump: E falënderova për investimet në mbrojtje

Orët e fundit për marrëveshje, Kurti e Hamza takohen sot, Specialja dhe Presidenti në tavolinë

Orët e fundit për marrëveshje, Kurti e Hamza takohen sot, Specialja dhe Presidenti në tavolinë

Haradinaj me urim të veçantë për 65-vjetorin e Ahmet Isufit: “Faleminderit, Komandant, për shërbimin ndaj Atdheut!”

Haradinaj me urim të veçantë për 65-vjetorin e Ahmet Isufit: “Faleminderit, Komandant, për shërbimin ndaj Atdheut!”

Rama: Qeveria po tenton ta bllokojë Tulltoren, njëjtë siç veproi me pronën për Universitetin

Rama: Qeveria po tenton ta bllokojë Tulltoren, njëjtë siç veproi me pronën për Universitetin

Kurti dhe Prattipati diskutojnë zhvillimet e fundit politike

Kurti dhe Prattipati diskutojnë zhvillimet e fundit politike

Netanyahu thotë se sulmuesi në avion “iu nënshtrua indoktrinimit radikal islamist”

Netanyahu thotë se sulmuesi në avion “iu nënshtrua indoktrinimit radikal islamist”

Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga përpjekjet për ta çuar vendin në zgjedhje

Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga përpjekjet për ta çuar vendin në zgjedhje