Hetuesit policorë të stacionit policor në Skenderaj, kanë bërë arrestimin e një personi të dyshuar, si dhe kanë konfiskuar një pistoletë, mbi dyshimet e arsyeshme për veprat penale ‘lëndim i rëndë trupor’ të raportuar dje pasdite.
Ky është njoftimi që vjen nga zyra e Policisë për rajonin e Mitrovicës.
“Arrestimi i të dyshuarit Rr. D. 24 vjeçar, i përkatësisë etnike shqiptar shtetas i RKS-së, është bërë në mbrëmje rreth orës 21:20, me datën 7 mars 2016 në Skenderaj. Nga hetimet e deritanishme bëhet e ditur se i dyshuari dhe viktima A. X. 26 vjeçar, derisa ndodheshin në një kafiteri në Skenderaj, pas një zënke çasti kishin filluar përleshjen, ku i dyshuari kishte nxjerrë nga brezi pistoletën dhe me dorezën e pistoletës e kishte goditur viktimën duke i shkaktuar lëndim trupor”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Te personi i dyshuar Policia si provë materiale ka konfiskuar pistoletën që dyshohet të jenë përdorur në rast.
I dyshuari pas procedurave intervistuese me vendim të prokurorit të çështjes është liruar për procedurë të rregullt.
Ndërsa ndaj tij janë iniciuar rastet ‘përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘lëndim trupor’.
/lajmi.net/
















