Sot vazhdon seanca gjyqësore për rastin Kumanova

E publikuar: 08/03/2016 11:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seanca gjyqësore për Lagjen e Trimave pritet të vazhdojë sot në Shkup. Seanca gjyqësore u tentua të mbahet në fund të muajit që shkojë por është ndërprerë për shkak se tre avokatë të të akuzuarve braktisën gjykatën meqë, sipas tyre, nuk kishte kushte për gjykim.

Avokatët në mënyrë të shpejtë u gjobitën me nga 1200 euro. Përveç kësaj, avokatët Naser Raufi dhe Bujar Dardhishta do të duhet t’i kompensojnë edhe të gjitha shpenzimet për gjykimi, që sipas disa vlerësimeve arrijnë edhe dhjetëra mijëra euro.

Do të duhet të paguajnë edhe shoqërimin e të akuzuarve, për angazhimin e dy helikopterëve dhe qindra policëve. Për gjykatësen, ata kanë ofenduar gjykatën, kanë prishur rendin dhe qetësinë dhe me sjelljen e tyre e kanë prolonguar procedurën.

Nga Gjykata i porositën familjarët se të afërmit e tyre mund t’i vizitojnë në paraburgim, dhe se Ligji për procedurë penale nuk parashikon se duhet doemos t’u lejohet familjarëve që të jenë të pranishëm në gjykim. Sipas gjykatës ka vetëm një sallë të madhe dhe janë siguruar kushte për praninë e një pjese të familjarëve. Por edhe avokatët tjerë dolën në mbështetje të kolegëve që braktisën gjykatën.

“Duam kushte dhe do të solidarizohemi me kolegët për gjobat me të cilat u dënuam dhe për shpenzimet e supozuara që janë bërë me seancën e sotme, Gjykata duhet doemos t’i tërheqë për arsye se nuk ka kushte për gjykim korrekt dhe të drejtë të kësaj lënde të ndjeshme që zhvillohet para Gjykatës themelore Shkupi 1”, deklaroi Lupço Veselinovski, avokat.

Gazetarët u vendosën në bibliotekën e Gjykatës prej ku përmes televizorit përcillnin zhvillimet në gjykatë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e OSBE-së, organizatave joqeveritare dhe të ambasadës së Kosovës në vend. Seanca e radhës do të mbahet më 8 mars.

Ndërkohë, Lëvizja BESA ka mbështet veprimin e braktisjes së seancës gjyqësore të avokatëve mbrojtës në rastin e Kumanovës, duke i inkurajuar ata që të mos heqin dorë nga kërkesa për të siguruar kushte elementare për gjykim të drejtë.

“Mospërmbushja e kushteve elementare për gjykim nga ana e gjykatës, si edhe presioni që u bëhet avokatëve me shqiptimin e dënimit për lëshim të seancës, dëshmojnë për faktin se në Republikën e Maqedonisë sistemi gjyqësor është skajshmërisht i politizuar dhe është thellë i kapur nga partitë në pushtet. Për këtë arsye, Lëvizja BESA vlerëson se edhe “Rasti i Kumanovës” duhet të kalojë në duart e Prokurores Speciale, sepse ajo që ndodhi deri tani gjatë këtij procesi gjyqësor na ka bindur se ky gjykim do të jetë vetëm politik dhe jo i drejtë”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizje.