Ja emrat e ministrave të rinj në qeverinë Mustafa

E publikuar: 03/03/2016 15:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dorëheqja e presidentit të zgjedhur Hashim Thaçit nga ekzekutivi, ka lënë zbrazëti në qeverisjen e vendit, e cila së shpejti do të plotësohet.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Thaçi pritet të zëvendësohet nga Enver Hoxhaj i PDK-së, i cili kishte qeverisur edhe më herët me këtë dikaster qeveritar. Kurse, në postin e zëvendëskryeministrit të parë pritet të emërohet Hajredin Kuçi, i cili do të jap dorëheqje prej postit të ministrit të Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë e qeverisur nga Kuçi, Republika.info mëson se tash e tutje pritet të qeveriset nga LDK-ja, e cila në krye të saj po planifikon ta vendos ministrin aktual për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demollin, i cili kishte udhëhequr me këtë ministri edhe në të kaluarën.

Ditë më parë këtë e kishte paralajmëruar edhe deputeti i LDK-së, Anton Çuni, i cili kishte treguar se në bashkëbisedën e tij me Mustafën e Thaçin, para të cilëve kishte adresuar çështjen e vrasjeve politike, Thaçi i kishte thënë që këtë punë duhet sqaruar njëherë e mirë dhe LDK-ja do të qeverisë edhe me Ministrinë e Drejtësisë.

Në vend të Demollit në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, pritet të kthehet përsëri si ministër Agim Çeku i PDK-së. /Republika.info/