Para prokurores Shenjan Berisha dhe gjyqtarit Vesel Ismaili, ka dhënë rrëfimin e tij deputeti Bekim Haxhiu, se si ka ndodhur e gjithë ngjarja me 28 qershor 2012 ku ai thotë se është sulmuar nga Rexhep Selimi, Visar Ymeri dhe truproja e Florin Krasniqit, Besart Bujupi.
Haxhiu ka treguar se ka marrë goditje në anën e majtë të mjekrës nga Rexhep Selimi, ku thotë se edhe i është kundërpërgjigjur. E pas kësaj Haxhiu thotë të jetë sulmuar nga mbrapa prej Besart Bujupit, truprojës së Florin Krasniqit.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka cilësuar këtë gjatë seancës së sotme gjyqësore si tentim vrasje.
Haxhiu edhe njëherë përmendi në Gjykatë se kjo nuk është asgjë private me Selimin, apo ndonjë deputet tjetër dhe se këtë ja kishte lënë organeve të drejtësisë.
Ai, tha se është e 16-ta herë që paraqitet në gjykatë, ndërsa nga pala tjetër e sheh si ikje ndaj përgjegjësisë.
Por deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, pasi dëgjoi rrëfimin e Bekim Haxhiut, iu drejtua atij me disa pyetje .
“Pse nuk ke shkuar te mjeku menjëherë pasi që ke qenë i lënduar dhe i goditur por ke shkuar në mbrëmje”, pyeti Selimi.
E Haxhiu tregoi që është futur në seancë dhe ka marrë trajtime bazike me dikllofen dhe akull.
E i pandehuri tjetër Visar Ymeri ia tërhoqi vërejtjen Bekim Haxhiut, se ai nuk duhet të flasë për sjelljet e tyre karshi gjykatës dhe prokurorisë sepse sipas tij nuk kanë kurrfarë relevance.
Ndërsa për truprojën e Florin Krasniqit, Ymeri pyeti Bekim Haxhiun se si e ka njohur.
/Blic/



















