Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lëshuar një deklaratë për media, në të cilën thotë se gjatë votimit president të Hashim Thaçit janë bërë shkelje kushtetuese.
Këto shkelje, sipas AAK-së, janë:
“E para Hashim Thaçi, mund ta ketë shkelur kushtetutën, menjëherë pas zgjedhjes sepse nuk ka bërë dorëheqje publike nga postet e mëparshme, siç e parasheh Kushtetuta. Ai këtë e ka bërë me disa ditë vonesë, dhe në një rast të tillë ka bërë shkelje të kushtetutës. Kushtetuta nuk parasheh shkelje të mëdha ose të vogla. Ai, ose e ka shkelur kushtetutën ose jo.
Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, thuhet se presidenti i zgjedhur nuk mund të mbajë asnjë post tjetër dhe Hashim Thaçi, të paktën për disa ditë, i ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Partisë Demokratike dhe atë të zvkryeministrit dhe ministrit të jashtëm.
E dyta Hashim Thaçi është votuar në një parlament i cili nuk i ka pasur 120 deputetë, por 119. Me Kushtetutën e vendit thuhet se vendi i zbrazët në Parlament duhet të plotësohet menjëherë, dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. Pas dorëheqjes së deputetit Ramush Haradinaj, Presidentja e vendit ka kërkuar nga KQZ, që ta certifikojë Ali Berishën në vendin e zbrazët, me disa ditë vonesë dhe pas votimit të presidentit.
E treta, Kryetari i Kuvendit nuk ka raportuar se sa deputetë mungojnë në seancën e votimit të presidentit. Sa prej tyre janë të përjashtuar, sa prej tyre mungojnë pa arsye dhe sa prej tyre mungojnë me leje, nëse ka pasur të tillë. Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese në “Rastin Pacolli”, thuhet se të 120 deputetët e Kuvendit duhet të jenë në sallë, përpos atyre që janë liruar me arsye dhe me leje të Kryetarit të Kuvendit.
Në rastin e votimit të Hashim Thaçit president, nuk është zbatur as kjo normë e përcaktuar me interpretim të Gjykatës Kushtetuese.
E katërta, nuk është plotësuar kushti i një kundërkandidati për president, ku Rafet Rama, i propozuar nga Kryetari i Kuvendit dhe i arsyetuar nga deputetja Ganimete Musliu, qysh gjatë seancës ka rezultuar të jetë farsë.
Vetë kundërkandidati për president Rafet Rama, ka deklaruar se ai në të tri raundet e ka votuar kundërkandidatin e tij në këtë votim.
Deputetja Ganimete Musliu, që në fillim e kishte arsyetuar kandidaturën e Rafet Ramës për president, po në të njejtën seancë e ka tërhequr arsyetimin e saj dhe ka bërë thirrje që të votohet Hashim Thaci e jo Rafet Rama, duke thënë se edhe ajo personalisht do ta votojë Hashim Thaçin, gjë që e ka lënduar tej mase kushtin themelor që për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, të paktën duhet të jenë dy kandidatë.
Dhe së fundi, pushimet e pajustifikueshme ndërmjet raundit të parë, të dytë dhe të tretë të votimit, kanë krijuar një hapësirë dyshimi se janë bërë me qëllim të ndërhyrjes në vullnetin e deputetëve për të votuar, sepse ka pasur një ndryshim të madh nga rezultatet e votimit të parë me atë të votimit të tretë.
Të gjitha këto do të duhej të ishin arsye të mjaftueshme që çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës (Hashim Thaçit) të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese.”

















