Komisioni Evropian duket se është i gatshëm që t’i ofrojë Gjeorgjisë liberalizim të vizave në udhëtim, por mund ta shtyjë këtë ofertë të ngjashme për Ukrainën.
Në dhjetor, Komisioni Evropian tha se të dyja vendet i kishin përmbushur kriteret për t’u kualifikuar për udhëtim pa viza, në zonën Schengen.
Komisioni kishte thënë se do të dërgonte një propozim te vendet anëtare të BE-së dhe te Parlamenti Evropian, në fillim të vitit 2016.
Sidoqoftë, zyrtarë anonim të BE-së i kanë thënë ekipit të Radios Evropa e Lirë se Brukseli nuk është i bindur se Ukraina ka bërë mjaftueshëm në luftimin e korrupsionit, dhe se nuk duhet të grupohet bashkë me Gjeorgjinë në këtë propozim.
Zyrtarët gjithashtu i frikësohen faktit se përfshirja e Ukrainës mund të ndikonte negativisht në një referendum, në Prill, në Holandë, lidhur me Marrëveshjen e Asociacionit BE-Ukrainë.
Çfarëdo propozimi për të lejuar Gjeorgjinë ose Ukrainën në zonën Schengen do të duhet të aprovohet nga Parlamenti Evropian dhe 28 vendet anëtare të BE-së./rel/