Humbja e peshës dhe ushtrimet e përmirësojnë ovulimin te gratë që e kanë sindromin e vezoreve policistike, një çrregullim i përhapur hormonal që shpesh shkakton infertilitet. Sindromi i vezores policistike është shkaku më i shpeshtë i infertilitetit femëror.
Kjo gjendje shfaqet kur trupi i femrës prodhon nivele pak më të larta se normalisht të testosteronit dhe androgjenëve tjera, pra hormonet seksuale që asociohen me tipare mashkullore. Ky çekuilibër i hormoneve mund të shkaktojë periudha menstruale të parregullta apo që mungojnë, shtim peshe, puçrra, qime në fytyrë dhe trup, apo rrallim i flokëve në kokë.
Sipas studimit, humbja e peshës dhe ushtrimet para mbetjes shtatzënë e përmirësojnë shëndetin riprodhues dhe metabolik të gruas. Ndërkaq, përdorimi i kontraceptivëve oral mund ta përkeqësojë profilin metabolik pa e përmirësuar ovulimin. Ndryshimi i stilit të jetesës është një pjesë e rëndësishme për çfarëdo trajtimi të infertilitetit për gratë me këtë sindrom që janë mbi peshën normale.

















