Skamja po e mbyt familjen Sadriu (FOTO-VIDEO)

E publikuar: 18/02/2016 18:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skamjes e mjerimit, poetët shqiptarë i kanë kushtuar shumë vargje. Por ‘poetët’ e vërtetë janë ata që mbi kurriz po e përjetojnë dhembjen që sjell varfëria. Familja pesë anëtarësh Sadriu që jeton në një kthinë të huaj në rrugën “Edmond Hoxha” në Prishtinë, lutet për ndihmë. Ata janë zënë ngushtë nga skamja dhe përveç lutjes drejtuar Zotit e njerëzve humanistë, nuk kanë më nga t’ia mbajnë. Fukarallëku po i mbyt.
Bëjnë jetë të rëndë. Madje aq të rëndë, sa u ka humbur edhe turpi për të dalë para kamerës. Vuajtjet po u zënë frymën. Lutjet për ndihmë ia drejtojnë Zotit me sytë drejtuar qiellit e njerëzve në tokë me shpresën se kanë mëshirën e dhuruar nga Zoti. Këta janë familja pesë anëtarësh Sadriu nga Prishtina. Ata ende besojnë se në këtë botë ka njerëz që kanë shpirt humanizimi. Ndihma që për dikë do të ishte simbolike, për fëmijët e kësaj familjeje do të ishte mrekulli.

Vendit ku jetojnë, i thonë shtëpi. Por ajo vetëm shtëpi nuk është. Vendi ku flenë thonë se është dhomë, por ajo vetëm i përngjan asaj. Vendi ku qëndrojnë ka një dritare, por ajo vetëm dritare nuk është. E myku aty, nuk do ta duhej ta kishte vendin, kurse lagështia do të duhej vetëm të hamendësohej. Por jo, ato janë pjesë e përditshme së pandashme me duart, këmbët, e trupat e njomë të tre fëmijëve të kësaj familjeje. Ky është vendi që ata e quajnë shtëpi. E ky është vendi që prindërit e tyre e quajnë ferri mbi tokë që skamja po u merr shpirtin. Kjo pasi as ky vend që të ngjall frikë vetëm ta shikosh, e jo më të jetosh, nuk është e tyre. Kur pronari i dëbon nga shtëpia disa herë brenda muajit, ata ditën e kalojnë në park, e kur errësohet e pronari shkon, ata kthehen të fusin kokën sërish në atë kthinë.

 

Bashkë me fëmijët, edhe prindërit janë ata që vuajnë. Ndërmjet përgjegjësisë për t’i rritur e edukuar të vegjlit e tyre dhe pamundësisë për t’iu siguruar kafshatën e bukës ashtu siç duhet, skamja u është ngulitur deri në asht. Babai, Sefer Sadriu, ka filluar punën në një autolarje.

Skamja po e mbyt familjen Sadriu (FOTO-VIDEO)
Ai fiton aty aq sa secili mund ta imagjinojë. Ato pak monedha që merr, janë vetëm sa për të mbajtur frymën gjallë. Por jo gjithmonë njerëzit pastrojnë vetura. Kur s’ka punë të tillë, alternativë mbetet mbledhja e hekurishteve. Dhe kaq! Këtu fillojnë dhe mbarojnë mundësitë e Seferit për t’iu siguruar mirëqenien familjes së tij.

E nëna, Valbona, ka të tjera halle mbi kokë. Ajo jeton me frikën se pronari i kësaj kthine, do t’i nxjerrë jashtë. Në raste të tilla, thotë se nuk reziston. E di se prona e huaj, nuk mund të bëhet e saj, sado e lënë pas dore të jetë.

“Kur na përzë pronari, i marr fëmijët e dal në parkun e qytetit. Rri atje deri në orët e vona të mbrëmjes”, thotë Valbona për lajmi.net. Sytë i mbushën me lot, por lotët për të nuk ndryshojnë gjë.

“Kthehemi prapë aty, kur mendojmë se pronari ka shkuar”, thotë Valbona për lajmi.net. “S’kemi nga t’ia mbajmë”.

Më shumë se lotët e nënës, të vret vetëm shikimi i fëmijëve. Majlinda është vetëm 7 vjeç, Majlindi është 6 e Mirlindi 4 vjeç. Për ta, jeta fëmijërore sikur ka rezervuar vetëm vuajtje. Veshjet e zakonshme për bashkëmoshatarët e tyre, janë të paarritshme për ta. Majlinda është në klasë të dytë, por refuzon të shkojë në shkollë. Në mesin e shokëve e shoqeve të klasës, ajo e bartë damkën e ‘fukarasë’. Këtë epitet ajo nuk po mund ta durojë më.

Majlindi sot (e enjte 18 shkurt) ka ditëlindjen. Ai mbushi 6 vite. Por në vend të dhuratës, mori injeksionin për temperaturë. Lagështia po i shkatërron këta fëmijë ende pa nisur mirë jetën. Sa për dhuratë, s’ka as nga kush ta presë

Për Valbonën, nënën e tyre, dhurata mbi të gjitha dhuratat do të ishte një kulm i tyre mbi kokë. “ Ju kisha lutë të gjithëve që kanë mundësi të na ndihmojnë për hir të këtyre fëmijëve, që të rritën si të gjithë të tjerët”, lutet Valbona, pasi shikon të vegjlit e saj tek strukën në përpjekje për të ngritur këmbët e zbathura.
Atë e mban shpresa se shqiptarët si gjithmonë, do t’u zgjasin edhe atyre dorën e ndihmës. Ajo beson se njerëzit e këtij vendi nuk e kanë humbur solidaritetin. Nga kasollja e huaj, dritarja pa xhama, e buka e fundit që ka, ajo beson në shpirtin shqiptar të ndihmës për bashkëkombasin që janë të zhytur në skamje dhe mjerim./lajmi.net