Alvaro Morata, ashtu si të gjithë shokët e tij të Juventusit janë gati për duelin me Bayernin e Mynihut në Ligën e Kampioneve.
Sulmuesi spanjoll, në pjesën e dytë të intervistës së tij për gjermanen “SportBild”, ka vlerësuar rivalin e ardhshëm europian dhe lojtarët që bëjnë pjesë në të, por në të njëjtën kohë u premton atyre se në Torino do t’i presë “ferri”.
Sfida me Bajernin
“Nuk e di përse, por kundër skuadrave gjermane kam gjithmonë një rendiment të lartë. Me fanellën e Realit të Madridit dhe Juventusit u ka shënuar gjithmonë atyre, Shalkes, Borusias së Dortmundit, por jam gati t’i shënoj edhe Bayernit të Mynihut.
E dimë që sivjet do të jetë shumë e vështirë, pasi po flasim për një skuadër që prej pesë vitesh dominon në Champions, por unë mund t’i premtoj se në Torino do t’i presë ferri, këtë ia garantoj. Mos harrojmë se në 9 ndeshjet e fundit në ‘Juventus Stadium’ kemi pësuar vetëm një gol, prandaj për ta do të jetë shumë e vështirë që të na shënojnë”.