Champions, Roma sfidon Realin, Gent pret Wolfsburg

E publikuar: 16/02/2016 20:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në sfidat e së mërkurës në Champions League, Roma luan në Olimpico përballë Realit të Madridit. Verdhekuqtë do të kërkojnë mrekullinë përballë gjigandëve spanjollë, ku do të provojnë të shfrytëzojnë ecurinë e mirë me Luciano Spalletti-n.

Me trajnerin e ri në stol, italianët kanë fituar 4 nga gjashtë ndeshjet e luajtura. Roma do të provojë të lejë një tjetër imazh në këtë edicion të Champions, pas kualifikimit me vetëm 6 pikë në Grupin E, të fituar nga Barcelona. Në total verdhekuqtë pësuan 16 gola në fazën e grupeve, ndërsa në 20 ndeshjet e fundit të turneut nuk kanë pësuar vetëm në një ndeshje, barazimi pa gola në Dhjetor 2015 ndaj BATE Borisov.

Në anën tjetër, me Zinedine Zidane në stol, Reali është kthyer i frikshëm. Më tepër presin në fushë, më shumë punë në shërbim të ekipit dhe qarkullim më i shpejt i topit. Elementë që ngjasojnë me stilin e lojës së Barcelonës, por që duket se kanë dhënë efekt.

Por, nëse në shtëpi madrilenët kanë shënuar mesatarisht 5 gola në ndeshje, ata vuajnë disi në trasfertë, ku shfaqen si një skuadër krejt e ndryshme. Zidane mund të rigjejë Marcelonë për këtë sfidë, ndërsa mungesa të sigurta janë Pepe dhe Gareth Bale. Te Roma rikthehen dy ikonat e skuadrës, kapiteni Francesco Totti dhe mesfushori Daniele De Rossi.

Reali mbetet absolutisht favorit në letër, por edhe pse janë ende të pamposhtur në Champions, ashtu si edhe Barcelona, pika e dobët është mbrojtja, ku porta është ruajtur e paprekur vetëm në tre nga dhjetë sfidat e fundit.

Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Gent sfidon Wolfsburgun. Gjermanët janë superfavoritë për t’u kualifikuar në çerekfinalet e turneut, por në Belgjikë misioni i ekipit të Dieter Hecking është të evitojë humbjen.

Te Gent mungon Peter Olayinka, lojtari i shitur më shtrenjtë në historinë e futbollit shqiptar. Ish-sulmuesi i Skënderbeut vazhdon të vuajë probleme në gju prej seancave të para te kampionët e Belgjikës dhe do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna.