“Dobësi e diplomacisë ruse pse nuk jemi me Shqipërinë aty ku duhet”

E publikuar: 15/02/2016 21:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marrëdhëniet

Jam i detyruar të pranoj se Rusia, për fat të keq, nganjëherë u kushton vëmendje të pamjaftueshme rimëkëmbjes së lidhjeve miqësore me ato vende, me të cilat për shkak të ngjarjeve të ndryshme historike këto lidhje u prishën

 Sanksionet

Vendimi i Shqipërisë për t’iu bashkuar restriksioneve antiruse të Perëndimit që ka shkaktuar vendosjen në gusht 2015 të kundërmasave të Rusisë, që kanë mbyllur tregun tonë për prodhimet bujqësore shqiptare. Heqja e kundërmasave tona mbetet në duart e qeverisë në Tiranë

 Kriza në Siri

Jemi të bindur se nuk mund të triumfojmë ndaj terrorizmit vetëm me mjete ushtarake. Kjo luftë duhet të shoqërohet edhe nga zgjidhja politike e konflikteve. Ndaj ne e mbështesim të ashtuquajturin “Proces i Vjenës”, që synon zgjidhjen diplomatike të krizës siriane

 

INTERVISTA

Ambasadori rus në Tiranë, Karpushin, flet për “Shqip”: Marrëdhëniet ruso-shqiptare, pikat e forta e të dobëta, por edhe cili është pozicioni rus për krizën në Siri 

RUDINA HOXHA

Ҫdo 10 Shkurt, Rusia feston Ditën e Diplomatit. Me këtë rast, ambasadori i Rusisë në Tiranë, Alexander Karpushin, përmes një interviste ekskluzive për gazetën “Shqip” parashtron një bilanc të diplomacisë ruse, pikat e saj të forta e të dobëta, pozicionin e saj aktual, rolin e saj ndaj krizës siriane dhe shpresat e saj ndaj Shqipërisë. Ai pranon se është “dobësia e diplomacisë ruse pse marrëdhëniet Rusi-Shqipëri nuk janë aty ku duhen”.

Rusia shënon katër shekuj të historisë së saj diplomatike. A mendoni se ajo ka luajtur një rol domethënës në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar? Disa argumentojnë fort se diplomacia ruse ka si qëllim pikësëpari krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e brendshëm të vendit, pavarësisht kostos që kjo kërkon…

Në fakt, historia e diplomacisë ruse është shumë më e gjatë se katër shekuj. Krijimi dhe zhvillimi i shërbimit të jashtëm në Rusinë e Lashtë zënë fill që nga shekujt IX-X. Guri i parë kilometrik në zhvillimin e diplomacisë ruse ishte dërgimi në vitin 838 i misionit rus në Kostandinopojë për të vendosur lidhje direkte me Bizantin. Në vitin 863, për herë të parë në historinë e Rusisë, ishte nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare – “Traktati i paqes dhe dashurisë” me Perandorinë Bizantine. Nënshkrimi i tij nënkuptonte, ndër të tjera, edhe njohjen ndërkombëtare të Rusisë.

Fatkeqësisht, më pas, duke filluar nga shekulli XIII, kur për shkak të pushtimit të Rusisë nga Hordhia e Artë filloi procesi i shpërbërjes së shtetit, u prish edhe integriteti i politikës së jashtme dhe diplomacisë ruse. Dhe vetëm në shekullin XV, në epokën e carit Ivan të Tmerrshëm, pas rrëzimit përfundimtar të Hordhisë dhe pas rikrijimit të shtetit rus të centralizuar me Moskën si kryeqytet, rilindi edhe diplomacia jonë. Në vitin 1549 u themelua një dikaster i posaçëm i politikës së jashtme – “Posolskij Prikaz”, që më vonë u shndërrua në Kolegjin e Punëve të Jashtme, kurse në vitin 1802, në fund të fundit, u transformua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kjo formë qëndron edhe sot e kësaj dite.

Një vend të veçantë në historinë e diplomacisë ruse zënë epokat e Pjetrit të Madh dhe Ekaterinës së Dytë, kur u nis krijimi i një rrjeti të gjerë të përfaqësive diplomatike dhe konsullore të Rusisë në vende kryesore europiane: në vitin 1699, u hap misioni rus në Holandë, në 1701 – në Turqi, më pas në Danimarkë, Austri, Francë, Angli dhe në vende të tjera. Deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914, Rusia kishte marrëdhënie diplomatike me 47 vende dhe kishte më shumë se 200 përfaqësi jashtë shtetit.

Një sfidë e madhe për diplomacinë ruse ishte revolucioni i vitit 1917, kur në arenën ndërkombëtare, Rusia u zëvendësua nga Bashkimi Sovjetik, i cili për shumë kohë ishte në izolim ndërkombëtar dhe ishte i detyruar të rivendoste prapë marrëdhëniet diplomatike me shumicën e vendeve. Një periudhë tjetër e vështirë ishte shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, që shoqërohej nga një krizë e thellë ekonomiko-sociale në vendin tonë. Në atë kohë edhe doktrina e politikës së jashtme të “Rusisë së re” pësoi ndryshime rrënjësore.

Pra, siç e shikojmë, të gjitha sprovat – luftëra e revolucione, fitore e humbje – vendi ynë i ka kaluar me dinjitet. Dhe një kontribut të rëndësishëm në këtë ka dhënë pikërisht diplomacia ruse, e cila në kushte shumë të vështira arriti të mbronte interesat themelore kombëtare të Rusisë.

Sot për sot, Rusia ka marrëdhënie diplomatike me 193 vende të botës dhe vazhdon të luajë një rol aktiv në promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe si anëtar i përhershëm i OKB-së mban përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.

Me të vërtetë, në përputhje me Konceptin e politikës së jashtme të Rusisë, një nga qëllimet kryesore të diplomacisë sonë është krijimi i kushteve të jashtme të favorshme për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë ruse, si dhe për ngritjen e standardit dhe cilësisë së jetesës së qytetarëve tanë. Dhe kjo është diçka absolutisht normale. Megjithatë, në asnjë mënyrë nuk përpiqemi të arrijmë këtë qëllim “pavarësisht kostos që kjo kërkon”. Rusia i përmbahet rreptësisht së drejtës ndërkombëtare dhe shprehet vazhdimisht për respektimin e përpiktë të rregullave të përbashkëta të lojës nga të gjithë aktorët në arenën ndërkombëtare. Dhe këtu vjen postulati kryesor i politikës së jashtme të Rusisë: në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të mbizotërojnë parimet e barazisë, respektit të ndërsjellë të interesave dhe zgjidhjes kolektive të çështjeve kyçe në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe rolit kryesor të OKB-së.

Më 10 Shkurt, në Rusi, u festua Dita e Diplomatit. Si do ta karakterizonit diplomacinë ruse? Cilët janë pikat e forta dhe ato të dobëta të saj?

Sipas mendimit tim, karakteristikat më të rëndësishme të diplomacisë ruse janë patriotizmi, profesionalizmi i lartë dhe potenciali i madh intelektual. Pikërisht këto tipare favorizojnë forcimin e autoritetit dhe ndikimit ndërkombëtar të Rusisë, sigurimin e pozicionit të vendit tonë, si një nga qendrat kryesore të botës moderne, si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e tij të gjithanshëm edhe më tej.

Ndër pikat e forta të diplomacisë ruse do të përmendja gatishmërinë dhe pragmatizmin e saj, përkushtimin e saj për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe për të drejtën ndërkombëtare. Dua të theksoj se imazhi pozitiv i diplomacisë sonë dhe i vendit tonë në tërësi shpeshherë ka lidhje me njohjen e përgjithshme të arritjeve të larta të kulturës dhe artit rus. Kultura e papërsëritshme ruse që ka pasuruar shumë dhe vazhdon të pasurojë thesarin intelektual të njerëzimit është një nga faktorët që i japin Rusisë peshën dhe autoritetin ndërkombëtar.

Sa u përket pikave të dobëta të diplomacisë sonë, jam i detyruar të pranoj se Rusia, për fat të keq, nganjëherë u kushton vëmendje të pamjaftueshme rimëkëmbjes së lidhjeve miqësore me ato vende, me të cilat për shkak të ngjarjeve të ndryshme historike këto lidhje u prishën. Mendoj se ju e kuptoni për çfarë e kam fjalën. Por, unë mbetem optimist dhe nuk e vë në dyshim se do t’ia dalim mbanë.

Çfarë po ndodh me marrëdhëniet diplomatike midis Rusisë dhe Shqipërisë? A ka ndërmarrë Rusia më së shumti një përqasje kulturore e diplomatike ndaj Shqipërisë?

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Shqipërisë po zhvillohen dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Në janar pata kënaqësinë të diskutoja personalisht me Kryeministrin Edi Rama mbi gjendjen e tanishme dhe perspektivat e intensifikimit të dialogut mes vendeve tona. Ka qenë një takim shumë i dobishëm dhe i frytshëm. Kemi skicuar disa hapa afatshkurtër me qëllim aktivizimin e lidhjeve dypalëshe në fusha të ndryshme, me theks të veçantë te raportet ekonomiko-tregtare.

Shpresoj se brenda këtij viti do të arrijmë të organizojmë në Tiranë sesionin e radhës të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregtinë, Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tekniko-Shkencor (sesioni i fundit u mbajt që në vitin 2009), në kuadër të të cilit palët mund të shqyrtonin mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta në sferat e turizmit, transportit, tregtisë, etj.

Në të njëjtën kohë, udhëheqja e Bashkimit Europian së fundmi e ka bërë të ditur zyrtarisht se Shqipëria, bashkë me vende të tjera kandidate e ka mbështetur sërish vendimin e Brukselit për sanksionet kundër Rusisë. Më duhet të kujtoj se ka qenë pikërisht vendimi i Shqipërisë për t’iu bashkuar restriksioneve antiruse të Perëndimit që ka shkaktuar vendosjen në gusht 2015 të kundërmasave të Rusisë, që kanë mbyllur tregun tonë për prodhimet bujqësore shqiptare. Pra, heqja e kundërmasave tona vazhdon të mbetet në duart e qeverisë në Tiranë.

Për sa i përket rolit të kulturës në punën tonë, ky rol me të vërtetë është shumë i rëndësishëm. Dhe kjo është diçka e natyrshme, pasi kultura nuk njeh barriera politike, flet një gjuhë universale që kuptohet nga të gjithë dhe tejkalon çdo pengesë. Ndaj dialogu kulturor zakonisht është shumë herë më i efektshëm sesa ai politik. Dhe kjo është veçanërisht aktuale në rastin e marrëdhënieve ruso-shqiptare. Shqiptarët e duan dhe e respektojnë kulturën ruse. Sa herë që Ambasada jonë organizon aktivitete kulturore që kanë të bëjnë me muzikën ose letërsinë, ato ngjallin gjithmonë një interes të jashtëzakonshëm tek publiku shqiptar. Kam shpresë që sivjet, shkëmbimet kulturore midis vendeve tona do të marrin një shtysë të re, meqë po planifikojmë të nënshkruajmë Programin e Bashkëpunimit ndërmjet ministrive të kulturës së Rusisë dhe Shqipërisë për periudhën 2016-2018.

Diplomacia e sotme moderne kërkon që të jetë diverse dhe dinamike. Si është adaptuar diplomacia ruse ndaj rrethanave aktuale?

Kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të një destabilizimi në rritje të marrëdhënieve ndërkombëtare. Potenciali konfliktual, sidomos në nivelin rajonal, ka arritur në një pikë kritike. Gjatë tërë vitit të kaluar, Rusia vepronte në mënyrë aktive dhe dinamike me ndërgjegje të plotë të përgjegjësisë së saj për ecurinë e proceseve botërore. Përpjekjet kryesore të diplomacisë ruse janë fokusuar në sigurimin e rolit udhëheqës të vendit tonë, në koordinimin e një kundërpërgjigjeje të vendosur ndërkombëtare ndaj agresionit terrorist, si dhe në krijimin e një fronti të gjerë antiterrorist. Veprimet e vendosura të Forcave Ajroro-Kozmike të Rusisë të ndërmarra me kërkesë të qeverisë siriane i kanë dobësuar ndjeshëm pozicionet e “Shtetit Islamik”. Megjithatë, vazhdojmë të mbetemi të bindur se nuk mund të triumfojmë ndaj terrorizmit vetëm me mjete ushtarake. Kjo luftë duhet të shoqërohet edhe nga zgjidhja politike e konflikteve dhe nga kundërshtimi i fortë ndaj ideologjisë ekstremiste. Rusia, gjithashtu, e ka mbështetur lançimin e të ashtuquajturit “Proces të Vjenës”, që synon zgjidhjen diplomatike të krizës siriane me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve që janë në gjendje të japin një kontribut të konsiderueshëm në këto përpjekje. Por nuk duhet të harrojmë se zgjidhja e çështjeve aq serioze si kjo mund të gjendet vetëm në bazë të respektit të larmisë kulturore të botës moderne dhe të së drejtës së popujve për të vendosur vetë për fatin e tyre.

Është për të ardhur keq që, pavarësisht thirrjeve tona këmbëngulëse për krijimin në rajonin euroatlantik të një hapësire të sigurisë së barabartë dhe të pandashme, Perëndimi e ka zgjedhur kursin e zgjerimit të shfrenuar drejt Lindjes. Ky përkushtim për të shtrirë edhe më tej hapësirën gjeopolitike nën kontrollin e NATO-s, tashmë ka shkaktuar vuajtje të pallogaritshme për popullin ukrainas dhe vazhdon të helmojë atmosferën në kontinentin europian. Rusia po bën çmos për t’i ndihmuar ukrainasit të tejkalojnë konfliktin e brendshëm dhe të sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit të tyre. Falë angazhimit aktiv të Presidentit Putin është miratuar kompleksi i masave për zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut, i cili përbën një bazë pa alternativë për zgjidhjen politike. Jam i sigurt që diplomacia ruse do të vazhdojë punën e saj intensive në interes të “shëndetësimit” të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe do të promovojë axhendën përbashkuese në politikën globale.