Rrjeti CSR Kosova sot mori pjesë në inaugurimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, një rrjeti të ri biznesor që avokon për interesat e prodhuesve ekzistues Kosovarë dhe për krijimin e rrethanave më të lehta për funksionimin e prodhuesve të rinj vendorë në të ardhmen.
CSR Kosova mirëpret themelimin e KPK-së, dhe e përkrah atë fuqishëm, duke qenë se përmes fuqizimit të prodhimit vendor ne besojmë se do të fuqizohemi të gjithë së bashku si shoqëri.
Parimet e Përgjegjësisë Shoqërore Korporative na mësojnë edhe për rëndësinë e prodhuesve dhe furnitorëve vendorë, dhe mbështetja e prodhimit vendor është poashtu një kriter i rëndësishëm i standardit ISO 26000 për Përgjegjësinë Shoqërore Korporative.
Rrjeti CSR Kosova fton kompanitë dhe shoqërinë në përgjithësi, që të mbështesin prodhimin vendor në mënyrë që vendi ynë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. Arsyet kryesore për mbështetjen e prodhimit vendor nga prizmi i Përgjësisë Shoqërore janë këto:
1. Mbështetja e ekonomisë vendore dhe punësimit: Blerja e prodhimit vendor është mbështetje e drejtpërdrejtë e biznesit vendor, dhe kështu ndihmon në rritje të punësimit dhe ruajtje të parasë në ekonominë vendore.
2. Mbështetja e prodhuesit të vogël: Prodhuesit kosovarë kanë shumë vështirësi të konkurrojnë me kompanitë e mëdha në tregje të zhvilluara jashtë vendit. Mbështetja dhe rritja e tyre ndihmon rritjen ekonomike të Kosovës dhe rritjen e të hyrave nga eksporti.
3. Cilësia e mirë: Prodhimet vendore kryesisht janë më të freskëta dhe me vlera më të mira ushqyese sesa prodhimet që vinë nga jashtë sepse rrugën nga prodhimi deri në tavolinë e kanë më të shkurtër dhe nuk nevojiten mënyra artificiale për rritje të qëndrueshmërisë së produktit.
4. Mbrojtja e mjedisit: Prodhimi vendor liron më pak dioksid karboni në atmosphere për shkak të distancës më të vogël të udhëtimit nga prodhimi deri në konsum, dhe poashtu krijon më pak mbetje nga paketimi i panevojshëm.