Në kohën kur sapo kishte përfunduar falja e namazit në xhaminë e qytetit në Drenas, të premten, Policia e Kosovës ka rrethuar objektin e saj.
Një telefonatë nga qytetarët për një çantë me eksplozivë është bërë shkak për të intervenuar.
Ajo është gjetur jashtë xhamisë, në një qoshe në anën e majtë të saj. Ndërkaq, policia ka çaktivizuar atë për disa orë. Sipas burimeve të “Kohës Ditore” brenda Njësisë kundër Eksplozivëve, bëhet fjalë për 2.2 kilogramë TNT eksplozivë.
“Eksplozivi është pa detonator. Nuk ka pasur mundësi për shpërthim. Pra, vetëm ka qenë i vendosur për frikësim”, ka thënë ky burim brenda policisë. Kur është pyetur për këtë aksion, zëdhënësja e Policisë Rajonale, Flora Ahmeti, ka thënë se nuk mund të flasë për sasinë apo llojin e eksplozivit. “Këtë informatë mund ta marrim vetëm nesër”, ka thënë ajo.
E pyetur nëse deri tani policia ka ndonjë dyshim apo edhe ka ndodhur ndonjë arrestim, Ahmeti ka thënë se nuk ka asnjë të dyshuar e as të arrestuar.
Dyshime rreth kësaj ngjarjeje nuk ka as imami i xhamisë, Osman Musliu. Ai ka thënë se nuk mund ta akuzojë askënd dhe as nuk ka ndonjë person apo grup të veçantë mbi të cilin ka dyshime.