Kryeministrat e Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen sot në Bruksel, ku pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe për temat e dialogut në të ardhmen.
Ky takim është vazhdim i dialogut të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
“Është takim i nivelit më të lartë. Nuk është takim klasik negociator, por është takim ku temat do të fokusohen, në radhë të parë, në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe në shikimin e perspektivës së dialogut dhe temave të dialogut në të ardhmen”, ka thënë Valon Murtezaj këshilltari i kryeministrit Mustafa për politikë të jashtme.