Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Preshevë, Rahmi Zylfiu, ka deklaruar sot se ka marrë ftesë nga Partia për Veprim Demokratik për bisedime për pjesëmarrjen e përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që priten të mbahen në Serbi, por kjo parti ende nuk ka vendosur se a do t’i përgjigjet thirrjes.
Zoti Zylfiu ka thënë se qëndrimi përfundimtar se a do të merret pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, do të merret në organet e partisë, por konsideron se për këtë çështje nuk ka nevojë të ketë nguti, pasi ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve, raporton agjencia Beta nga Presheva.
Partia për Veprim Demokratik e udhëhequr nga Riza Halimi, u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme, të gjitha partive politike shqiptare që veprojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, ndërsa theksohet se bisedimet duhet të nisin më së largu deri më 1 shkurt./rel/