Juventusi nuk lëshon terren në garën për titullin kampion duke siguruar një fitore të rëndësishme në transfertën gjenoveze kundër Sampdorias.
Skuadra e Vincenzo Montellas nuk arriti ta prishte rrugëtimin pozitiv të djemve të Allegit të cilët rregjistrojnë fitoren e 9 rresht në kampionat duke u ngjitur në vendin e dytë të klasifikimit me 39 pikë, 2 më pak se Napoli. Bardhezinjtë dominuan ndeshjen e zhvilluar në “Luiggi Ferraris” duke e mbyllur 90 minutëshin me rezultatin 2-1. Ishte Paul Pogba ai që zhbllokoi sfidën ende pa kaluar 17 minuta. Një stopim me gjoks dhe goditje me të majtën, asnjë shpëtim për Viianon e dorëzuar.
Gjatë minutave në vazhdim, Moratta dhe Dybala kërkuan të përfitonin nga hapësirat në mbrojtjen e Sampdorias por tentativat e tyre rezultuan të kota gjatë fraksionit të parë. Në krahun tjetër, vendasit nuk u shfaqën asnjëherë kërcënues në zonën e Buffon duke ia lehtësuar detyrat repartit mbrojtës të skuadrës bardhezi. Ndeshja mori një rrjedhë të pakthyeshme vetëm 60 sekonda nga fillimi i pjesës së dytë kur Khedira i shërbyer nga Dybala vendosi firmën e tij. Antonio Cassano krijoi panik në radhët e kampionëve me një gol që hapi llogaritë në minutën e 64 por Sampdoria ishte e pafuqishme për t’i bërë një surprizë të hidhur skuadrës së Allegrit që vazhdon rrugëtimin pozitiv të nisur 8 javë më parë.