>“9 janari do të jetë dita kur pushteti duhet të shkojë bashkë me marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacionin, por opozita pushtetin do ta marrë vetëm përmes votës”, ka deklaruar në Rubikon shefi i GP-së së Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
Ndonëse është në arrest shtëpiak, ai ka vendosur të dalë në protestë të shtunën.
Nga banesa e tij në qendër të Prishtinës, Konjufca ka thënë se nuk e respekton masën e caktuar nga gjyqësori sepse ajo ka të bëjë me persekutimet e politikës dhe se sipas tij, pushteti ka nisur një fushatë përndjekjeje, heshtje dhe anulim të opozitarizmit në Kosovë.
Konjufca ka ftuar gjithë deputetët që t’i bashkohen protestës si rruga e vetme për të mbrojtur sovranitetin e vendit. Ai ka thënë se po akuzohen për përdorim të armës të gazit pa leje, por sipas tij, po të ekzistonte leja për gaz, ai do të kërkonte leje për posedimin e tij, duke theksuar se si opozitë, kanë qenë të detyruar t’i përdorin ato.
Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes ka mohuar se djegia e veturave po bëhet nga aktivistët e Vetëvendosjes, madje ai i ka dënuar aktet e tilla.