Barça e mbyll me rekord vitin 2015

E publikuar: 30/12/2015 23:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Barcelona mbyll një vit rekordesh me një tjetër rekord.

Sfida e fundit për katalanasit në 2015 ajo ndaj Betis niste me kampionët e freskët të Botës që ekzpozonin në vitrinën e “Camp Nou”-t 5 trofetë e një viti historik, Championsin, La Ligan, Kupën e Mbretit, Superkupën UEFA dhe Botërorin e Klubeve dhe Barça e mbylli me një fitore 4-0 duke u bërë skuadra që ka shënuar më shumë gola në një vit kalendarik. Katalanasit arritën kuotën 180 finalizime, duke parakaluar Realin e 178 golave në 2014. Gjithçka e lehtë për trupën e Luis Enrique dhe mbi të gjitha tredhëmbëshin e frikshëm, edhe pse Neymar si në finalen e Botërorit sërish nuk shënoi. E pati rastin më të mirë me një penallti të dyshimtë të akorduar për një kontakt të fortë mes Adan dhe Messit.

Nga 11 metrat braziliani stampoi topin në traversë, por ishte ndërhyrja e Rakitic dhe devijimi fatkeq i Westerman që mashtroi portierin e Betis duke shkaktuar autogol. 4 minuta më pas Neymar ishte sërisht protagonist në kombinimin me Messin për t’i dhënë argjentinasit asistin e golit të 2-0. Goli i 48 për Lionel Messin në këtë vit kalendarik në ndeshjen e tij të 500 me fanellën blaugrana. Më pas radha ishte e Luis Suarez, gjithnjë e më në formë fantastike. Uruguaiani çoi shifrat në 3-0 në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa kompletoi dygolëshin personal në minutën e 83 për ta mbyllur ndeshjen. 4-0 për Barcelonën që e pret vitin e ri si kryesuese e La Ligas në kuotën e 38 pikëve sa Atletico, por me një ndeshje më shumë në dispozicon. Barça mbyll me goleadë një vit rekordesh.