Alban Meha vazhdon të mrekullojë me goditjet perfekte nga distanca në kampionatin turk. Në kuadër të javës së 12 të Superligës së Turqisë, 29-vjecari i dha fitoren skuadrës së tij Konyaspor kundër Eskisehirspor, duke realizuar golin e 3-2 vetëm pak minuta para se të përfundonte koha e rregullt.
Që në minutën e tretë të këtij takimi miqtë kaluan në avantazh me Gural, ndërsa goli i barazimit i shënuar nga Bardakci, do të vinte në të 52-ën. Eskisehirspor kaloi për të dytën herë në epërsi me Bekdemir në të 63-ën, për të ardhur më pas te finalizimi i Holmen, për rezultatin 2-2. Konyaspori besoi se mund ta fitonte ndeshjen dhe për t’ia arritur këtij qëllimi iu fal këmbëve të Alban Mehës, i cili ekzekutoi në mënyrë përfekte një goditje dënimi, që është edhe specialiteti i tij.
Një gol të ngjashëm Meha i shënoi edhe Gallatasarayt në fillim të kampionatit, por ia finalizim vlejti thjesht për statistike, pasi skuadra kryeqytetase fitoi me rezultatin e thellë 4-1.
Alban Meha rezulton blerja më e goditur për Konyasporin në merkaton e verës, teksa përvecse koniderohet titullar i padiskutueshëm ka mundur të shënojë 4 gola në 12 ndeshjet e para. Nëse vazhdon me këtë ritëm 29-vjecari do ta vërë në pozititë të vështirë De Biasin në prag të finaleve të Europianit, ku trajnerit italian i duhet të zgjedhë vetëm 23 futbollistë për eventin më të rëndësishëm sportiv të verës së ardhshme.