Pas skandalit të dopingut ku tre sportisë elitarë dolën pozitivë në Botërorin e Kazakistanit, imazhi i peshëngritjes shqiptare në sytë e Botës është shumë i ulët. Në prag është kampionati Botëror që do të zhvillohet në Amerikë një kompeticion në të cilin, Shqipëria do të përfaqësohet me vetëm 2 peshëngritës pikërisht Erkand Qerimajn dhe Briken Caljan. Shanset për medalje këtë herë janë me të vërtetë të pakta, gjithsesi përpara nisjes për në Amerikë Qerimaj dhe Calja kanë premtuar se do të japin maksimumin për të mbajtur lart flamurin e Shqipërisë në këtë event. Për shkodranin që në të shkuarën është shpallur edhe kampion Europe objektivi në kampionatin Botëror të peshëngrijtes që do të mbahet në SHBA, është kualifikimi në Lojrat Olimpike Rio 2016-të.
“Synimi kryesor është të kapim Lojërat Olimpike në Brazil, vitin e ardhshëm. Mund të tentojmë të provojmë edhe për vendet më të mira të botës. Për medalje nuk e di, sepse ajo është garë dhe, nëse gjithçka do të ecë mbarë ne do të konsumojmë provat për medalje. Mendoj se në çdo garë që do të vijë duhet të mundohemi t’ia përmirësojmë imazhin peshëngritjes dhe sportit shqiptar. Shpresoj që të rikthehemi sa më shpejt me medalje”.
Ndërkohë 24-vjecari Briken Calja i cili rikthehet pas një pezullimi dy-vjecar nënvizoi se kjo periudhë i ka shërbyer për tu përmirësuar akoma edhe më tepër. Ai premtoi se në peshën e tij do të jetë mes 5 më të mirëve të Botës.
“Këto dy vite vuajtjesh që kam pasur i kam shfrytëzuar më së miri, të paktën për t’iu rikthyer edhe njëherë triumfit. Jam në një nivel shumë të lartë dhe besoj se më mirë se ç’kam qenë më parë. Me formën aktuale shpresoj që të jem mes 5 më të mirëve. Jam rikthyer për të triumfuar”.
Siparin e peshëngritësve shqiptarë në Botërorin e Amerikës do ta ngrejë Briken Calja i cili në datën 23 Nëntor do të garojë në peshën 69 kg. 1 ditë më pas do të jetë radha e Erkand Qerimajt i cili do të jetë pjesë e baterisë A në peshën 77 kg.