Entuziazmi i ndeshjes festive me Kosovën me rastin e kualifikimit të Shqipërisë në finalet e Euro 2016 ia lë vendin impenjimit për miqësoren me Gjeorgjinë, që do të zhvillohet të Hënën në “Qemal Stafa”. Kuqezinjtë zbritën menjëherë në fushën stërvitore të kompleksit “Tropikal” në Durrës, të përqëndruar maksimalisht për ndeshjen e radhës, e cila ndryshe nga përballja e Prishtinës i vlen shumë më tepër trajnerit De Biasi në aspektin teknik.
Tetë nga kuqezinjtë që luajtën më shumë minuta ndaj Kosovës, me konkretisht Cana, Gjimshiti, Rrahmani, Aliji, Basha, Xhaka Sadiku dhe Cikalleshi, bënë vetëm disa ushtrime shkrydhëse dhe disa vrapime të lehta nën drejtimin e përgatitësit atletik Alberto Belle, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës pas nxemjes u përqëndrua në ushtrime tekniko – taktike.
Gjatë pjesës së parë të seancës stërvitore kuqezinjtë i morën udhëzimet nga ndihmëstrajnerët Paolo Tramezzani dhe Erjon Bogdani, të asistuar edhe nga Ervin Bulku, ndërsa portierët Berisha, Sheshi dhe Hoxha i përgatitën nën kujdesin e Ilir Bozhiqit.
Trajneri Gianni De Biasi iu bashkua skuadrës pak më vonë, atëherë kur kishte ardhur momenti për intensifikimin e ushtrimeve me topin në kushtet e lojës. Këtë të Diel kuqezintë do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore para Gjeorgjisë, ku De Biasi do të zgjidhë dilemat e fundit për formacionin titullar që do të zbresë në fushë në “Qemal Stafa”.
/ss/