Fondi për garantimin e kredive, mbi 20 mijë vende pune

E publikuar: 13/11/2015 21:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se shtylla e parë e Fondit për Investim dhe Punësim, që ka të bëjë me garantimin e kredive do të fillojë së funksionuari nga janari i vitit të ardhshëm.

Ky fond, është paralajmëruar se do t’iu ofrojë bizneseve fillestare qasje në financa, kredi më të lira për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe korporatat që synojnë t’i zgjerojnë bizneset e tyre.

Sokol Havolli, shef i kabinetit dhe këshilltar për ekonomi në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar për Radion Evropa e Lirë e fondi do të nxitë zhvillimin e bizneseve në Kosovë si dhe do të gjenerojë vende të reja pune.

“Kuvendi i Kosovës në njërën nga seancat e kaluara ka aprovuar projekt-ligjin për Fondin për Garantimin e kredive, kjo përben shtyllën e parë Fondit për Investim dhe punësim dhe presim që nga 1 janari të funksionalizohet fondi për garantimin e kredive i cili do të ketë efekt prej 360 milionë euro në ekonomi dhe do të krijojë mbi 20 mijë vende të punës për periudhën pesë vjeçare”, ka thënë Havolli.

Fondi për Investim dhe Punësim, ka shtuar Havolli, deri më tani ka arritur në fazën ku është hartuar rreth 80 për qind e koncept dokumentit dhe se ka mbetur vetëm edhe një pjesë e vogël, por mjaft e rëndësishme për të definuar se si do ta ketë funksionimin.

“Përveç kësaj shtylle janë edhe katër shtylla tjera që synojmë t’i rregullojë në mënyrë që të hyjnë në funksion gjatë vitit 2016. Ndër to është edhe skema për subvencionimin e pagave, skema për subvencionimin e normave të interesit për sektorët të ndryshëm, me theks të veçantë në sektorin e bujqësisë, do të jetë fondi për teknologji informative dhe komunikim si dhe fondi për përkrahje direket për punësimin e grave dhe të rinjve”, ka bërë të ditur Havolli.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të jetë një institucion i pavarur, autonom, i cili do të funksionojë në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.

Në përgjithësi, theksohet se investimet nga Fondi për Punësim dhe Investim do të përqendrohen në aktivitetet ekonomike, që do të synojnë të rrisin punësimin, prodhimin dhe eksportin.
Në anën tjetër, përfaqësues të shoqatave që mbrojnë interesat e bizneseve thonë se Fondi për Garantimin e Kredive do të krijon një mundësi për bizneset, mundësi që, siç, thonë ata, nuk i kanë pasur më herët.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thekson se kjo është një mbështetje e madhe për bizneset në zhvillimin e projekteve të tyre që gjenerojnë mundësi për zhvillim dhe punësim.

“Në shumë vende në tranzicion ky ligj për fondin për garantimin e kredive ka qenë për një periudhë të caktuar, por pas dhënies së rezultateve të mira që kanë dhënë, këto ligje kanë mbetur përgjithmonë të aplikueshme. Në Kosovë ka munguar një ligj i tillë, por shpresojmë se kjo do të jetë një risi dhe të gjitha të përfitojnë nga ky ligj nëse fillon së zbatuari”, shton Shahini.

Ndryshe, normat e larta të interesit për kredi, kërkesat e shumta për aplikim duke përfshirë këtu edhe hipotekën, të aplikuara nga bankat komerciale në Kosovë, vazhdimisht janë vlerësuar pengesë për zhvillimin e veprimtarive të bizneseve në vend.

Sipas të dhënave të Bakës Qendrore të Kosovës, vlera e kredive në 10 bankat komerciale në Kosovë ka arritur afër 2 miliardë euro. Derisa, norma efektive e interesit për ekonomitë familjare është 9.5 për qind, ndërsa për ndërmarrje 7.5 për qind.