Duelet playoff, luhet akti i parë Norvegji-Hungari

E publikuar: 11/11/2015 23:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më datë 12 dhjetor në Paris, në Pallatin e Kongreseve në “Porte Maillot” do të hidhet shorti për fazën finale të kampionatit të 15 evropian të futbollit, e duke lënë mënjanë Francën, vendin organizator kanë fituar të drejtën për të marrë pjesë në aktivitetin më të rëndësishëm kontinental, në rang përfaqësuesesh edhe 19 skuadra të tjera. Mungojnë 4 emra që do të përcaktohen në fazën play off nga 4 ciftet e fundit, që do të luajnë me sistemin klasik me vajtje – ardhje, në harkun e vetëm tre ditëve. Dueli i parë është ai Norvegji – Hungari, përballje kjo mes dy skuadrave që me pak më tepër fat mund të kishin prere biletën për në Francë 2016 në mënyrë të drejtpërdrejtë, menjëherë pas ndeshjeve në grupe. Kështu në Grupin H ekipi nordik kryesonte ndaj Italisë brenda në Romë deri 17′ para përfundimit megjithatë dy gola në fundin e takimit nga “të kaltërit” bënë që vendi i dytë të sigurohej nga Kroacia, ndërkaq në Grupin F fati i përfaqësueses maxhare ishte i përcaktuar që më parë, me vendin e tretë pas dy kombëtareve Irlandë e Veriut, Rumani. Në mënyrë surprizë Hungaria që kryesoi vazhdimisht renditjen e 9 skuadrave që konsideroheshin si të tretat më të mira, nga grupet respektive, e humbi këtë status pikërisht në castet e fundit falë një kombinimi vërtet të dhimbshëm, teksa Kazakistani fitoi brenda në Letoni, duke zhvendosur ekipin balltik në fund të Grupit A, ndërsa Turqia ndonëse në inferioritet numerik ia doli mbanë të gjejë golin e fitores ndaj Islandës pikërisht në minutën e parafundit, falë një goli spektakolar shënuar nga një goditje dënimi prej kapitenit të Gallatasarait Selcuk Inan, gol ky që bëri që Hungaria dhe Turqia befas të ndryshojnë vendet, duke kualifikuar direkt përfaqësuesen e Fatih Terim. Në klasifikimin botëror Hungaria renditet në vendin e 33 ndërsa Norvegjia në pozicionin e 46 sidoqoftë takimi i parë do të luhet në Oslo, ku vendasit janë tepër të fortë dhe nuk munden që prej 15 muajsh, që nga ndeshja me Italinë. Në krahun tjetër ekipi i Hungarisë shfaqet vërtet i rrezikshëm jashtë fushe, pasi duke lënë mënjanë disfatën në takimin përmbyllës me Greqinë, që në fakt nuk influenconte aspak në gjendjen në grup, humbjen e fundit në trasfertë përfaqësuesja maxhare e kishte pësuar nga Holanda, dy vjet më parë me shifrat 8-1. Trajneri norvegjez Per – Mathias Hogmo do t’i ketë që të gjithë futbollistët në dispozicion ndërsa në anën tjetër 52-vjecari gjerman Bernd Storck do të vuajë mungesën e zëvendëskapitenit të ekipit, veteranit Roland Juhasz që nuk do të jetë në takimin e vajtjes për shkak kartonësh. Mes shtyllave portieri 39-vjecar Gabor Kiraly do të veshë dorezat për herë të 100 me përfaqësuesen, ndërkaq në sulm do t’i besohet dyshes Nemanja Nikolic – Krisztian Nemeth që luajnë respektivisht me Legian e Varshavës dhe Kanzas Sitin. Hungarezët janë renditur dy herë mes katër skuadrave më të mira të një evropiani, ndonëse kjo ka ndodhur për herë të fundit në 1972 e largët, gjithsesi ekipi maxhar kërkon kualifikimin në një aktivitet të rëndësishëm për herë të parë pas afro tre dekadash, që nga kampionati botëror i Meksikës. Trajneri Hogmo në krahun tjetër do të mbështetet te golashënuesi më i mirë i skuadrës, mesfushori i Norwich City-t Alexander Tettey, sidoqoftë të grumbulluar me ekipin janë edhe dy futbollistët me origjinë shqiptare, vëllezërit Valon dhe Veton Berisha, që luajnë respektivisht me Red Bull Salzburg dhe Greuther Furth. Kurioz është fakti që Norvegjia ka humbur gjashtë ndeshjet e fundit që ka luajtur në shtëpi, gjatë muajit nëntor, në këto 20 vitet e fundit megjithatë nordikët nuk humbasin ndaj Hungarisë prej plot 34 vjetësh në përballjet ndërmjet tyre, edhe kjo difatë madje është regjistruar në Budapest. Në ndeshjet kualifikuese për Euro 2008 nordikët fituan 4-0 në Oslo dhe 4-1 brenda në Budapest, gjithsesi bilancin e përgjithshëm e kryesojnë hungarezët me 8 fitore e 5 humbje, në 18 përballje gjithsej. Ndeshja e parë do të luhet në orën 20:45 në stadiumin e kryeqytetit Ullevaal, ndërsa takimi i kthimit po në të njëjtën orë tre ditë më pas në Kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.