Të hënën përzgjedhësi i Kombëtares Gianni De Biasi, ka prezantuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy miqësoret kundër Kosovës dhe Gjeorgjisë, pas pak ditësh.
Gjatë konferencës për shtyp ra në sy fakti se De Biasi ishte i acaruar dhe jo në humorin e tij të zakonshëm, por më pas është mësuar arsyeja.
Trajneri i kombëtares shqiptare ka pasur një debat të ashpër me menaxherin e Kombëtares Alban Bushi, para konferencës për shtyp, pasi ka kërkuar që Bushi të mos jetë më menaxher.
Gjithçka lidhet me disa deklarata të Bushit ditët e shkuara, që nuk i kanë pëlqyer De Biasit, i cili nuk dëshiron më ta ketë në staf Bushin, ndaj edhe ka pasur një debat me të.
Vendimi final do të merret nga presidenti Armand Duka, i cili nuk ishte në federatë të hënën, por ndërkohë Bushi është shfaqur në grumbullimin e kombëtares në Durrës, ndaj nuk dihet si do të mbyllet kjo histori.