Nikolla: Pas verifikimit, çdo diplomë që e njeh Shqipëria do ta njohë edhe Kosova

E publikuar: 01/10/2015 20:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbi 1 mijë studentë nga Kosova të cilët janë diplomuar në universitetet private shqiptare nuk iu njihen diplomat.

Problemi ka kohë që zvarritet dhe ministritë e të dy vendeve ende nuk kanë gjetur një zgjidhje për këtë situatë. E pyetur nga Kosovapress për këtë çështje, ministrja shqiptare e Arsimit, Lindita Nikolla tha se janë në bisedime me ministrin Bajrami për t’i gjetur një zgjidhje kësaj situate.

Ajo ka treguar se aktualisht janë ngritur disa grupe pune për të verifikuar rast pas rasti këto diploma, por ajo konfirmoi se çdo diplomë që njihet nga shteti i Shqipërisë do njihet edhe nga Kosova.

“Besoj që me ministrin Bajrami ne kemi bërë deklaratat e përbashkëta. Ministri Bajrami ka thënë publikisht që të gjithë ato diploma që njihen nga shteti shqiptar do të njihen edhe nga ai i Kosovës.

Drejtoritë tona të përbashkëta dhe grupet e punës janë ngritur për të kaluar rast pas rasti, gji thë situatën që lidhet me këto diploma, sepse mund të rezultojë atje ndonjë diplomë e universiteteve të mbyllura, por duhet marrë konfirmimi edhe se si është situata reale për këte universitet te mbyllur. Pra ai program ka qenë i licencuar, ai program ka qenë i akredituar. Kështu që mendojmë që ne po bashkëpunojmë fort për t’iu përgjigjur kësaj situate”, tha ministrja Lindita Nikolla.

Janë rreth 1 mijë e 200 studentë që po penalizohen për të gjetur punë pasi kanë një diplomë shqiptare. Sipas shpjegimit të dhënë deri më tani të Ministrisë së Arsimit në Kosovë, universitetet private në Shqipëri nuk janë të akredituara nga një agjenci ndërkombëtare, përjashtim bëjnë vetëm universitetet publike. Ky ngërç, i cili nuk po zgjidhet ligjërisht, ka bërë që shumë studentë të mos munden të aplikojnë për punë.