Blerim Latifi, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka lëshuar një komunikatë për media pas zhvillimeve të sotme në Kuvend.
Ai thotë se partitë opozitare vazhdojnë të thyejnë ligjet e Kosovës, të mos respektojnë institucionet e saj, Rregulloren e punës së Kuvendit dhe as procedurat ligjore të procedimit të dokumenteve, transmeton Koha.net.
Ai ka sqaruar procedurën për të pranuar një peticion në Kuvend, që sipas Latifit, nuk është respektuar nga opozita.
“Që një peticion të mund të pranohet në Kuvendin e Kosovës është e domosdoshme që paraprakisht të bëhet kërkesa në adresë të Zyrës për Parashtresa të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila më pas e dërgon peticionin për konfirmim në Komisionin parlamentar për barazi gjinore, peticione, ankesa dhe të drejta të njeriut. Opozita nuk e ka përfillur këtë procedurë ligjore. Peticioni duhet të jetë dokument i konfirmuar, përndryshe nuk është valid. Institucionet e shtetit ligjor punojnë me dokumente të verifikuara”, ka shkruar Latifi.
Latifi thotë se ditëve të vikendit dhe ditëve të festave, mediat kanë qasje në hapësirat e Kuvendit , vetëm nëse ka njoftim paraprak nga Zyra për Media të Kuvendi, kjo në përputhje me Rregullin 22 të Rregullores së Kuvendit.
“Opozita gjithashtu ka shkelur Rregulloren e Kuvendit për qasjen e mediave dhe publikut. Rregulla 22 e Rregullores së Kuvendit, në pikën 4 e thotë në mënyrë shumë të qartë se “ditëve të vikendit dhe ditëve të festave, mediat mund të kenë qasje në hapësirat e Kuvendit, me njoftim paraprak të Zyrës për Media dhe Marrëdhënie me publikun, së paku një ditë pune para vikendit dhe festës”. Nuk ka pasur një njoftim të këtillë”, tha Latifi.
Ai tha se opozita ka organizuar konferencë në hapësira të Kuvendit, e në rregullore thuhet se konferencë mund të mbajnë në hapësira të grupit parlamentar.
“Opozita po ashtu me veprimin e saj të sotëm ka shkelur rregullën 11 të Rregullores së punës së Kuvendit ku thuhet se “deputeti me grup parlamentar mund të organizoj konferencë për shtyp në hapësirat e grupit parlamentar”, pra jo në ambientet tjera të hapësirës së Kuvendit, sikurse ka bërë opozita sot”, shtoi Latifi.
Ai në fund tha se deputetit të Kuvendit të Kosovës i lejohet qasja në Kuvend në çdo kohë, por duke respektuar ligjet dhe rregulloret e Kuvendit, por sipas Latifit, sjellja arbitrare është në kundërshtim të plotë me frymën e parlamentarizmit dhe demokracisë kushtetuese.
“Hyrja me forcë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, duke mos përfillur dhe penguar fizikisht stafin e sigurimit të Kuvendit është cenimi tjetër që opozita ua ka bërë sot ligjeve të Republikës së Kosovës”, përfundoi Latifi.



















