Kroacia me 8 tetor mban zgjedhjet parlamentare. Në mesin e shumë kandidatëve që pretendojnë të zënë një ulëse në parlamentin kroat është edhe shqiptari, Idris Sulejamani.
Sulejmani me origjinë nga Tetova ka lindur dhe jeton në Kroaci, shkruan Gazeta Express. Ai kandidon në zgjedhje për të përfaqësuar pakicat kombëtare në Kroaci.
Si biznesmen dhe gastronom, Idris Sulejmani njihet edhe si aktivistë i njohur i çështjes kombëtare dhe mik i ngushtë i ish-presidentit kroat, Stjepan Mesiç.
Në një takim me komunitetin shqiptarë të qarkut të Istras, në Pula, Sulejmani, kërkoi mbështetjen e bashkëkombësve të tij që të arrijë të jetë shqiptari i parë në histori që hyn në parlamentin e Kroacisë e që mbron interesat e këtij komuniteti.
“Le të kujtojmë se ne, shqiptarët, gjatë të kaluarës kemi vuajtur shumë, por ne jemi treguar gjithmonë këmbëngulës dhe kemi gjetur forcën për tu rilindur dhe për të ndërtuar ura,” citohet të ketë thënë Sulejmani në këtë takim, duke pohuar se nëse arrin ta marrë besimin për të qenë zë i shqiptareve në parlamentin e Kroacisë, ai do të dëshmoje se si kombi i tij është i njohur për krenari, ndershmëri dhe integritet.



















