Të mërkurën, më 21 tetor, Kosova është në rend dite në takimin e rregull të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s.
Takimi mbahet në Paris, ku është selia e kësaj organizate të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara.
Kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO e ka bërë Shqipëria, ndërsa atë e kanë përkrahur 46 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, transmeton Koha.net.
Para kësaj, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër i Kosovës e ministër i saj i Jashtëm, kishte dorëzuar një lutje – kërkesë tek ish- shefi i UNMIK-ut Farid Zarif që kërkesën për anëtarësim të Kosovës ta procedonte në UNESCO.
Hashim Thaçi tashmë është në Paris dhe nga atje, përmes Facebookut, po shpërndan lajme optimiste rreth kësaj ngjarjeje.
Më herë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e kishte lavdëruar aktivitetin e zëvendësit të vet Thaçi për t’u anëtarësuar në UNESCO.
Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s, që pritet të debatojë për Kosovën të mërkurën, e bëjnë 58 shtete, 36 nga të cilët e kanë njohur pavarësinë e saj.
Nëse në takimin e të mërkurës të UNESCO-s propozimi për anëtarësim të Kosovës kalon me shumicën e votave, vendimi përfundimtar merret në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO -s që mbahet nga 3 deri më 18 dhjetor.
Anëtarë të kësaj Konference janë 195 vende.
Kosovën deri më tast e kanë njohur mbi 100 vende të botës.
Për pranim të Kosovës nga kjo konferencë duhen dy të tretat e shumicës së votave.
Serbia në ndërkohë ka bërë të gjitha përpjekjet që ka mundur për ta ndaluar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ajo të martën ka mbledhur të gjithë krerët e vet udhëheqës politikë, kishtarë e të Akademisë për të thënë se kundërshton këtë anëtarësim.
Përkundër këtyre përpjekjeve, Serbia është pesimiste se mund ta ndalojë këtë ecje të Kosovës.


















