Çfarë kanë të përbashkët Erion Veliaj me Bleona Qeretin?

E publikuar: 19/10/2015 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ata janë pa dyshim dy nga emrat më të përfolur të rrjeteve sociale, pasi çdo fjali që artikulojnë, foto-marketing që postojnë, komentohen në forma që shpesh shkojnë deri në tallje. Herë me mufka e herë me tërëmend, të pashmangshëm, këngëtaren dhe kryetarin e Bashkisë i ndeshim kudo nëpër portale.

Të ashtuquajturat skandale i kanë thuajse në barazpeshë, e po ashtu mosha e Bleonës duket e njëjtë me Erionin 36-vjeçar.

“Selfmade” është një tjetër detaj që duket se i bën bashkë dy emrat hit, Erion Veliaj dhe Bleona Qereti. Këngëtarja ka filluar të hapë llafin si artiste e bërë vetë, pa ndihmën e askujt, ndërsa një nga argumentat që u artikulua gjatë fushatës së zgjedhjeve për kryetar Bashkie nëpër studiot e debateve, ishte njëjtë edhe për Erionin. Analistët politikë majtas, njëzëri thanë, Erioni? Është ‘selfmade’ se e ka nisur nga zero, ka shitur fiq!

Nisur nga deklarata e sotme e Erionit kryetar Bashkie, ideja se të dy me Bleonën ngjajnë e kanë shumë të përbashkëta, të përforcohet! Duke folur në aktivitetin “Qyteza e jetës”, kryebashkiaku Veliaj përdori të njëjtin mesazh që këngëtarja e njohur për shfaqjet lakuriqe, dha për femrat në kuadër të luftës kundër kancerit të gjirit. “Një instagram më pak, një mamografi më shumë,”- tha Erioni, i cili tingëlloi sikur iu referua Bleonës kur një javë më parë shkroi: “Më e rëndësishme është të mamografosh gjoksin se sa ta instagram-osh”.

Megjithatë, në ndryshim nga Bleona, suksesi amerikan i së cilës po del në sipërfaqe kohët e fundit, arritjet e Erionit që propagandoi se ia kishte dalë në Shtetet e Bashkuara, nuk u vërtetuan kurrë.