Taulant Xhaka në “shënjestrën” e klubeve të P. League

E publikuar: 19/10/2015 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Taulant Xhaka ishte padyshim një prej protagonistëve të mëdhenj të Shqipërisë drejt fazës finale të Europianit 2016. Mesfushori u shndërrua në një pikë të fortë të ekipit kuqezi, ndërsa me paraqitjet gjatë kualifikueseve është vënë në shënjetrën e klubeve nga ligat më të forta Europiane. Pas transferimit të munguar te Fiorentina në Serinë A, Xhaka tërhoqi edhe vëmendjen në Angli. Gazeta prestigjoze “The Telegraph”, në hapësirën dedikuar merkatos, e cilësonte si një prej yjeve të “Euro 2016″ që klubet e Premier League-s duhet ta blejnë në merkaton e janarit.

Në përshkrimin për 24-vjeçarin e Kombëtares theksohej se përveç rolit natyral si mesfushor qendre, ai mund të luajë edhe në repartin e mbrojtjes. Xhaka vlerësohet si lojtar i hekurt dhe mjaft luftarak në fushë dhe është një prej elementëve kryesorë të Baselit, klub me të cilin gjatë sezonit të kaluar luajti në Champions League përballë Liverpool-it, duke i mposhtur Reds në Zvicër dhe barazuan në Angli.

Mes lojtarëve të tjerë që këshillohen për tu blerë nga “The Telegraph” janë rusi i Zenit St Petersburg, Artyom Dzyuba, që me tetë gola i mbylli kualifikueset pas Robert Lewandowski dhe Thomas Muller në listën e golashënuesve. Nga yjet e tjerë të “Euro 2016″ janë sulmuesi 27-vjeçar Kamil Grosicki dhe sulmuesi 21-vjeçar Arkadiusz Milik të Polonisë. Mesfushori ofensiv i Izraelit, Eran Zahavi që gjatë kualifikueseve regjistroi 2 gola dhe pesë asist, mesfushori i Islandës dhe Baselit, Birkir Bjarnason, portieri i Rumanisë dhe Fiorentinës, Ciprian Tatarusanu, gjermani 21-vjeçar Matthias Ginter, që mund të luajë në qendër të mbrojtjes, në krahun e djathtë por edhe si mesfushor qendre apo edhe boshnjaku i Romës, Miralem Pjanic, që ishte një prej katër lojtarëve që krijuan më tepër raste për gol në kualifikueset e Kampionatit Europian./ss/