Për një kohë të gjatë ka qenë i angazhuar në Evropën juglindore, pas 4 luftërave të ish – Jugosllavisë dhe pas intervenimit në Kosovë. Gjithmonë ka qenë shumë i përfshirë në bashkëpunimin rajonal. Së pari ka qenë përgjegjës për iniciativën e bashkëpunimit Evropian Juglindor dhe pastaj përgjegjës për Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore, jovetëm duke krijuar bashkëpunim ndërkufitar, po gjithashtu duke ofruar përmirësim për vende të ndryshme. Është ky Erhard Busek, i cili është angazhuar edhe për vendin tonë duke e parë atë si rast të veçantë
Busek thotë të ketë qenë i angazhuar në këtë aspekt për të ndihmuar që gjerat të përparojnë. Kjo e ka shtyrë atë që të jetë shumë shpesh në Kosovë, e së fundmi pjesëmarrës edhe në një konferencë gjigante për energjinë.
Kur fletë për këtë sektor, Busek thotë gjatë një intervistë për KosovaPress, se situata në Kosovë është shumë e koklavitur.
“Situata e energjisë në Kosovë është goxha e koklavitur duke shkëputur lidhjet me ish-Jugosllavinë, tash Serbinë; është një situatë e vështirë”, potencon ai.
Ai kritikon qeverisjen e vendit të cilët nuk po krijojnë stabilitet në vend. Kritikon po ashtu se investitorët po i lënë të ikin, sidomos ata që duan të investojnë për energjinë.
Edhe pse reduktimet e rrymës në Kosovë janë pakësuar, Busek thotë se deri më tani në vendin tonë problemi nuk është zgjidhur. Linjitin dhe shfrytëzimin e kët ij minerali nëntokësorë, Busek e sheh si shpëtim për Kosovën dhe jo vetëm. Ai thotë se Kosova ka rezerva për gjithë rajonin.
Busek: Qeverisë duhet t’u jepet shtytje për ujdi
“Për momentin nuk po përdoret {linjiti} dhe mendoj që kjo është një ndër temat në Kosovë që është prapa realitetit dhe mundësisë, dhe këtu, mendoj që politikave dhe qeverisë duhet t’u jepet shtytje që të bëjnë ujdi, jo vetëm për të siguruar rrymë për vendin, por edhe për të zhvilluar një të ardhme për bashkëpunim në këtë aspekt me të tjerët në fqinjësi”, thotë Erhard Busek për KosovaPress.
Ndërsa për investitorët e mundshëm dhe interesi i tyre për të investuar në Kosovë thotë se po bie, kjo krejt si pasojë e situatës politike në vend dhe korrupsionit që ka kapluar Kosovën. E për këtë Busek thotë se Qeveria duhet të marrë vendime dhe të gjendet n jë zgjidhje.
Këtu përmend edhe problemin me termocentralet, problem ky që sipas Busekut po ekziston që sa vite.
Busek: Gjërat duhet të përmbushen nga Qeveria
“Interesi i kompanive është gjithmonë për të bërë biznes dhe kjo është në natyrën e tyre, sepse ato nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër. Mendoj që interesi i qeverisë se Kosovës duhet të jetë marrja e vendimeve dhe gjerat të përmbushen. Ky {korrupsioni} është një problem rajonal. Ne po luftojmë korrupsionin, por duhet të bëhen të drejtë, për korrupsion nevojiten gjithmonë dy {njerëz} ai që jep dhe ai që merr, prandaj duhet ta luftojmë në përgjithësi. Korrupsioni nuk është thjesht një problem rajonal, por është një problem i përgjithshëm”, tha Busek.
Busek shtoi se ka disa arsye përpos korrupsionit që investitorët po ikin. Ai thotë se arsyeja nganjëherë është vendimmarrja, situata ligjore dhe sistemi në përgjithësi që nuk punon, dhe këto janë gjerat që sipas tij duhet të analizohen në rast të veçantë.
Kurse, situata e krijuar së fundmi në Kosovë, bllokimi i punës së Kuvendit dhe protestat janë mesazh i gabuar dhe problematik për vendin.
Busek: Askush nuk vjen në një vend ku situata është e brishtë
“Mendoj që është mesazhi i gabuar i republikës tuaj, prapë me probleme, pastaj ndoshta zgjedhjet ishin herët dhe nuk u formua qeveria dhe kështu. Në situatën tuaj aktuale, ju duhet të leni përshtypje se jeni vend i qëndrueshëm, që legjislacioni është funksional, që sistemi gjyqësor është funksional, dhe kjo është tejet më rëndësi sepse askush nuk dëshiron të shkojë {të investojë} në një vend ku situata është e brishtë”, tha ai.
Busek ka komentuar edhe veprimet e opozitës, ku në dy mbledhjet e fundit të Kuvendit hodhën gaz lotsjellës.
Busek: Gazi-lotsjellës nuk është argument në kuvend
“Mendoj që nuk duhet të bëhet presion vetëm në kryeministrin, sepse është një kanal i përgjegjësive i të gjithë politikaneve; qeverisë, shumicës në kuvend dhe opozitës, të gjithë së bashku janë përgjegjës për mënyrën se si e përfaqësojnë vendin. Dhe mendoj duhet t’i përdorni të gjitha format e nevojshme për t’i ndjekur rregulloret evropiane dhe për të promovuar vendin tuaj, sepse nuk duhet të harroni se sigurisht që ju e njiheni Kosovën {qeshë}, por Kosova nuk është e njohur jashtë….. Gazi-lotsjellës nuk është argument në kuvend”, thotë Busek.