Gjilani fiton në Mitrovicë dhe “rrëmben” vendin e dytë

E publikuar: 18/10/2015 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjilani ngjitet në vendin e dytë të klasifikimit në Superligën Kosovare pas një suksesi të rëndësishëm 1-0 të arritur në fushën e Trepça 89. Ndeshja nisi me një ritëm të lartë nga të dyja skuadrat por golin e parë e shënuan miqtë me autor sulmuesin Eminhaziri. Lojtari mik përfitoi nga një dalje e gabuar e portierit vendas, duke nisur nga rreth 35 metra një top që u ndal në rrjetë.

Pak minuta më vonë, Gjilani humbi mundësinë e artë për të dyfishuar shifrat.
Me kalimin e minutave, Trepça 89 mori kontrollin e lojës duke u afruar gradualisht në zonën kundërshtare. Hajdari rrezikoi me kokë në minutën e 25 por topi përfundoi jashtë, ndërsa dy minuta më vonë Hasani ishte shumë pranë golit të barazimit por e majta e tij përfundoi jashtë. Skuadra nga Mitrovica nuk hoqi dorë nga kërkimi i golit të parë dhe ishte Hajdari ai që dha sinjalin e parë në minutën e 55. Pak sekonda më vonë goditja e Mustafës u devijua në goditje nga këndi, ndërsa harkimi në zonë mund të kishte përfunduar në portë nëse nuk do të ishte devijuar nga mbrojtja e Gjilanit. Në të 60-ën, Potoku goditi keq një top të harkuar në zonë, ndërsa pak sekonda më zonë Krasniqi replikoi me një goditje dënimi që nuk shënjestroi portën. 18 minuta nga fundi, Idrizi nuk arriti të shënjestronte portën e bardhekuqve. Pjesa e mbetur e ndeshjes nuk ndryshoi asgjë në rezultatin përfundimtar dhe në këtë mënyrë, Gjilani ngjitet në vendin e dytë me 1 pikë më pak se Ferronikeli.