Monaco dhe Olympique Lyon ndahen në barazim 1-1 në supersfidën që hapi javën e dhjetë të Ligue 1. Përballje ndërmjet dy prej skuadrave më të rëndësishme të kampionatit francez.
Pritshmëritë ishin të mëdha, edhe sepse starti jo i mirë i sezonit bënte që dueli në Stade Louis II të ishte një mini-finale, për të mos humbur më terren nga kryesuesit e Paris Saint Germain.
Në minutën e 39-të të sfidës ishte Mario Pasalic ai që zhbllokoi shifrat, duke kaluar ekipin nga Principata në avantazh. Për mesfushorin 20-vjeçar nga Kroacia kjo ishte rrjeta e parë në këtë edicion të elitës së futbollit francez.
Lyon nuk është pajtuar me disavantazhin dhe aktivizimet e Ferri dhe Ghezzal i dhanë një tjetër impuls lojës së të besuarve të trajnerit Hubert Fournier.
Por, episodi që ndryshoi rrjedhjën e ndeshjes erdhi në minutën e 66-të, me mbrojtësin brazilian Ëallace që u ndëshkua me karton të kuq direkt, pas një ndërhyrje mjaft të ashpër.
Në inferioritet numerik, Monaco vuajti dhe u dorëzua vetëm në fundin e ndeshjes. Lyon barazoi në minutën e 84-rt me Rafael.
Nga zhvillimet e një goditje këndi dhe pozicionimi i keq i mbrojtjes, topi shkoi te Ghezzal, që pason te Rafael i cili nuk mund të gabonte.
Në këtë mënyrë, pavarësisht se e nisën sfidën me synimin vetëm për të fituar, në fund skuadrat detyrohen të kënaqen me nga një pikë. Lyoni ngjitet përkohësisht në vendin e pestë në renditje, në kuotën e 16 pikëve, ndërsa Monaco pozicionohet e dhjeta me 14 pikë.