Mblidhet LDK: I dënon “sulmet me armë kimike” në Kuvend

E publikuar: 16/10/2015 18:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryesia e Lidhjes Demokratike në mbledhjen e mbajtur sot, kanë dënuar sulmet e opozitës në Kuvendin e Kosovës duke i quajtur si të kundërligjshme dhe sulme me armë kimike. Ata kanë kërkuar që opozita të heqë dorë nga aktet e tilla që dëmtojnë institucionet dhe interesat e Kosovës
Komunikata e plotë:

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka diskutuar për ngjarjet e fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe për zhvillimet në vend përgjithësisht.

Kryesia e LDK-së i konsideron të papranueshme, të kundërligjshme dhe tepër të dëmshme veprimet e dhunshme të opozitën në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kryesia e LDK-së dënon ashpër dhunën e ushtruar dhe sulmet me armë kimike në Kuvendin e Kosovës, të drejtuara kundër përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës. Kryesia e LDK-së i bën thirrje opozitës që të heqë dorë nga aktet e tilla që po dëmtojnë institucionet dhe interesat madhore të popullit të Kosovës. Kryesia e LDK-së u jep mbështetje të plotë Kryeministrit dhe Qeverisë në punën që po bëjnë në shërbim të qytetarëve të vendit dhe kërkon që të punojnë në vijimësi për të përmirësuar jetën e qytetarëve, si dhe për të çuar përpara agjendën evropiane të Kosovës, si aspirata më madhore e popullit të Kosovës. Kryesia e LDK-së vlerëson se mbështetja që kanë Kryeministri, Qeveria dhe institucionet e tjera kushtetuese të Kosovës nga ana e qytetarëve dhe partnerëve tanë, SHBA-ve dhe e vendeve të Bashkimit Evropian, është treguesi më i mirë për rrugën e drejtë të Kosovës.