Deputeti i PDK-së, njëherësh anëtar i kryesisë së kësaj partie, Rrustem Mustafa, në emisionin “Info-Box” të TV Dukagjinit, ka thënë se si pasojë e tolerancës së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Kuvendi ka ardhur deri në këtë gjendje, ku opozita bllokon punën e tij.
Mustafa ka thënë se janë momentet e fundit që të përfundojë faza e bllokimit të institucionit të legjislativit, duke shtuar se për tu tejkaluar kjo krizë është i nevojshëm komunikimi ndërinstitucional dhe ndërpartiak.
Ai ka thënë se ka ardhur koha për ndryshime në Qeveri dhe se partia e tij, PDK, duhet të marrë udhëheqjen e ekzekutivit.
“Koha kërkon që të kemi ndryshime në Qeveri. PDK-ja si partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës të udhëheqë me Qeverinë e Kosovës. Koalicioni nuk ka nevojë të ndryshohet, mirëpo Qeverinë, për të pasur dinamikë të zhvillimeve, duhet ta drejtojë dikush nga PDK-ja. Të gjitha partitë që janë në parlamentin e Kosovës, mund të ishin pjesë e Qeverisë së Kosovës. Koalicioni qeverisës mund të shtohet ose të zvogëlohet eventualisht”, ka thënë deputeti Mustafa.