Vuçiq letër anëtarëve të UNESCO-s: Pranimi i Kosovës i papranueshëm për Serbinë

E publikuar: 12/10/2015 12:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq i ka dërguar një letër të gjitha shteteve anëtare të UNESCO-s, në të cilën ai deklaron se kërkesa për pranimin e Kosovës për anëtare të kësaj organizate për Republikën e Serbisë, është absolutisht e papranueshme.

Tanjug raporton se kryeministri serb Aleksandar Vuçiq i ka dërguar një letër të gjitha Shtetet Anëtare të UNESCO-s, në të cilën thotë se kërkesa e për pranim të Kosovës në këtë organizatë është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare dhe absolutisht e papranueshme për Serbinë, transmeton lajmi.net.

Siç thuhet në letër, në bazë të Rezolutës 1244, e cila ende është në fuqi, Kosova ende njihet si pjesë përbërëse e Serbisë, dhe administrohet nga Kombet e Bashkuara.

“Pasi që Kosova sipas të Drejtës Ndërkombëtare nuk mund të konsiderohet shtet, është e qartë se nuk plotëson kushtet themelore për të shqyrtuar ndonjë mundësi të pranimit të saj si anëtar në UNESCO”, thuhet ndër të tjera në letrën e Vuçiqit.

Ai shtoi se qeveria serbe është plotësisht e angazhuar për dialog në mes të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel dhe se mbetet fuqimisht e përkushtuar për dialog me shqiptarët e Kosovës në gjetjen e zgjidhjeve që do të stabilizonin dhe normalizonin marrëdhëniet në mes tyre.