Funksionimi i rrezikuar i Kuvendit të Kosovës

10.10.2015 15:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Funksionimi i rrezikuar i Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka hyrë tashmë në një prej periudhave më të vështira të funksionimit, ndërkohë që raportet politike ndërmjet Qeverisë dhe opozitës sa vijnë e tensionohen.

Bllokimi i seancave nga opozita, që së fundi u shoqërua edhe me përdorimin e gazit lotsjellës dhe fishkëllimave në sallën e seancave, paralajmërohet se nuk janë mjetet e vetme që do të përdoren për të pamundësuar funksionimin e organit më të lartë ligjvënës.

E gjithë kjo rezistencë opozitare, arsyetohet të jetë e ndërlidhur me marrëveshjen e 25 gushtit, që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan në Bruksel për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kjo marrëveshje, sipas opozitës, e defunksionalizon shtetin dhe çon kah ndarja e Kosovës. Krahas kësaj marrëveshjeje, opozita po e kundërshton edhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të cilën autoritetet e Kosovës e firmosën nën garancitë ndërkombëtare.

Zhbërja e këtyre marrëveshjeve ose bllokim total i Kuvendit deri në shkarkimin e Qeverisë dhe caktimin e zgjedhjeve të reja, është alternativa e vetme që aktualisht ofron opozita.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, nuk ka ngurruar aspak që përmes rrëmbimit të mikrofonit të kryetarit të Kuvendit të thotë se seancat e Kuvendit nuk mund të zhvillohen nëse formohet Asociacioni Serb.

“Kuvendi duhet të kthehet në normalitet, e në normalitet Kuvendi kthehet kur kthehet Republika në normalitet. Me ‘Zajednicën’ (term ky që Vetëvendosje përdor për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe) nuk ka Republikë”, ka thënë Ymeri.

Një pozicion i tillë i Vetëvendosjes është përqafuar edhe nga dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma. Madje, aty u shtua edhe kërkesa e AAK-së që të zhbëhet edhe marrëveshja me Malin e Zi, për demarkacionin e kufirit.

Rreshtimi i opozitarëve te foltorja e Kuvendit për të pamundësuar mbajtjen e punimeve, filloi në seancën e 17 shtatorit, duke vazhduar më pas me të njëjtin skenar më 22 shtator, kur kryeministri Isa Mustafa u sulmua me vezë teksa po raportonte për marrëveshjet e arritura në Bruksel me Beogradin.

Bllokada opozitare në Kuvend kulmoi me fishkëllimat dhe sidomos hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e 8 tetorit. Pavarësisht raporteve të krijuara, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është zotuar se ai nuk do të përdorë policinë për t’i nxjerrë jashtë deputetët që pengojnë seancat, pavarësisht se një gjë të tillë atij ia lejon Rregullorja e punës.

“Kuvendi nuk do të bllokohet. Do të ketë vazhdimësi të punës së Kuvendit. Nuk do të ketë përdorim të forcës përderisa unë të jem kryetar aty. Nuk besoj që do ta zgjidh problemin nëse e fus aty sigurimin dhe nëse e nxjerr jashtë dikë prej deputetëve”, ka thënë Veseli.

Te tensionimi i raporteve mes qeverisë dhe opozitës, sipas shumë analistëve, ka edhe diçka personale që ndërlidhet në raportet ndërmjet liderëve opozitarë dhe kryeministrit Isa Mustafa.

Besohet se ashpërsimi i raporteve buron që nga koha kur kryeministri i tashëm, Isa Mustafa, kishte vendosur të shkëputej nga aleanca me tri partitë aktualisht opozitare, i njohur si blloku VLAN, për t’iu bashkuar një koalicioni të ri me Partinë Demokratike të Kosovës që drejtohet nga Hashim Thaçi.

Sido që të jetë, për analistin Imer Mushkolaj, edhe reagimi i kryeministrit Mustafa ndaj sulmeve të opozitës, ishte jo adekuat, ngase gjithçka linte përshtypjen e një konflikti personal dhe jo ndërinstitucional.

“Jam habitur shumë me mënyrën se si Mustafa i është qasur kësaj çështjeje për shkak se nuk ka arritur që ta përmbajë veten dhe është lëshuar në banalitete të tilla. Ai duhet ta ketë parasysh, besoj se e di, por nuk është përmbajtur, se në këtë rast nuk e përfaqëson veten individualisht, e as familjen e tij, por përfaqëson të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe fjalori i tij duhet të jetë më i përmbajtur”, ka thënë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, kryeministri Mustafa e ka përjashtuar mundësinë që marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi të anulohen dhe ia ka rikujtuar opozitës se e ka edhe mbështetjen ndërkombëtare.

“Kemi marrë përkrahjen e të gjithëve, edhe të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për proceset që kemi kapërcyer këtu, edhe sa i përket vendimit për Gjykatën Speciale, edhe sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi edhe katër marrëveshjeve që i kemi arritur në Bruksel me Beogradin, më 25 gusht të këtij viti”, ka deklaruar Mustafa.

Aktualisht, Kuvendi i Kosovës ka në agjendë shumë ligje që presin të miratohen.

Pas seancës së fundit, ku u përdor gazi lotsjellës, Kryesia e Kuvendit ka paralajmëruar masa shtesë që do të garantojnë sigurinë e deputetëve në sallë, si dhe një kontroll më të rreptë të deputetëve gjatë futjes në ndërtesën e Kuvendit.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se konsideron që kryetari i Kuvendit duhet të ndërmarrë masa për sigurinë e deputetëve.

“Hedhja e gazit lotsjellës mendoj se është diçka që nuk duhet të pranohet as nga vetë opozita, sepse nuk e besoj që ka pasur një qëndrim unik të saj. Pas kësaj, mendoj se është krijuar një situatë e re dhe duhet dhe do të ndërmerren disa masa të reja për të penguar një eskalim të mëtutjeshëm të situatës dhe mendoj se këtu ka masa disiplinore, e masa që çdo kuvend i merr”, ka thënë Shala.

Në bazë të Rregullores së punës së Kuvendit dhe ligjeve në fuqi, analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, kishte parashikuar tri mundësi për zhbllokimin e Kuvendit.

Aty përfshihet edhe përdorimi i policisë për krijimin e kushteve për punë, opsion ky që është përjashtuar nga kryetari i Kuvendit.

Pastaj, ndërhyrja e presidentes për garantimin e funksionimit të institucioneve, si dhe kërkimi i mocionit të votë-besimit nga ana e Qeverisë.

E, në rast se asnjë prej këtyre zgjidhjeve nuk jep rezultat, atëherë nuk ishte përjashtuar as opsioni që Kosova të ndjekë shembullin e fundit të Greqisë që të shkojë në zgjedhje të reja.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Reagimet e Trainkos dhe Rizvanollit për vagonët, Ramadani: E tmerrshme, zyrtarë shtetërorë shkuan në Serbi pas Banjskës

Reagimet e Trainkos dhe Rizvanollit për vagonët, Ramadani: E tmerrshme, zyrtarë shtetërorë shkuan në Serbi pas Banjskës

Remi insiston për koalicion Vetëvendosje-PDK

Remi insiston për koalicion Vetëvendosje-PDK

“Operatori deklaron se vagonët s’kanë mundur të riparohen diku tjetër”, Rizvanolli e shpërndan shpjegimin e Trainkos

“Operatori deklaron se vagonët s’kanë mundur të riparohen diku tjetër”, Rizvanolli e shpërndan shpjegimin e Trainkos

Aleanca mban nesër mbledhjen e Kryesisë, pas saj konferencë nga Ardian Gjini

Aleanca mban nesër mbledhjen e Kryesisë, pas saj konferencë nga Ardian Gjini

Trainkos: Vagonët u dërguan për riparim në Serbi nga kompania vendore fituese e tenderit

Trainkos: Vagonët u dërguan për riparim në Serbi nga kompania vendore fituese e tenderit

AAB, ZGJEDHJA E PARË PËR STUDIME – HAPET AFATI I DYTË DHE KONKURSI PËR BURSA

AAB, ZGJEDHJA E PARË PËR STUDIME – HAPET AFATI I DYTË DHE KONKURSI PËR BURSA

Haradinaj godet pushtetin: Ditën shesin patriotizëm, e natën punojnë për Serbinë

Haradinaj godet pushtetin: Ditën shesin patriotizëm, e natën punojnë për Serbinë

Pacolli e Lushtaku nënshkruajnë marrëveshjen për financimin e programeve të banimit

Pacolli e Lushtaku nënshkruajnë marrëveshjen për financimin e programeve të banimit

Kurti: Dosjet e Brigadës së Motorizuar 37 duhet të hapen tash në vitin 2026, jo në 2044

Kurti: Dosjet e Brigadës së Motorizuar 37 duhet të hapen tash në vitin 2026, jo në 2044

Dioguardi pas marrjes së shtetësisë: Tani po përpiqemi të krijojmë një komb, Kosova po sulmohet nga armiqtë

Dioguardi pas marrjes së shtetësisë: Tani po përpiqemi të krijojmë një komb, Kosova po sulmohet nga armiqtë

Haxhiu u dorëzon dekretet e shtetësisë Joe dhe Shirley DioGuardit

Haxhiu u dorëzon dekretet e shtetësisë Joe dhe Shirley DioGuardit

Haxhiu: Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës

Haxhiu: Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës

“50 plumba kallashnikovi”, detaje të reja nga ekzekutimi i babë e bir në Dukagjin të Shkodrës

“50 plumba kallashnikovi”, detaje të reja nga ekzekutimi i babë e bir në Dukagjin të Shkodrës

QKUK jep detaje për tragjedinë në Malishevë: 25-vjeçarja arriti pa shenja jete, 26-vjeçari në gjendje shumë të rëndë

QKUK jep detaje për tragjedinë në Malishevë: 25-vjeçarja arriti pa shenja jete, 26-vjeçari në gjendje shumë të rëndë

“Zyrtarët e shtetit shkuan në Serbi pas Banjskës”, Ramadani kërkon veprim nga Kurti: Prita që e largoni menjëherë Rizvanollin

“Zyrtarët e shtetit shkuan në Serbi pas Banjskës”, Ramadani kërkon veprim nga Kurti: Prita që e largoni menjëherë Rizvanollin

Sindikata e Re e KEK-ut proteston të mërkurën në tri divizione në solidarizim me familjet e punëtorëve të vdekur

Sindikata e Re e KEK-ut proteston të mërkurën në tri divizione në solidarizim me familjet e punëtorëve të vdekur