Kryeministri Edi Rama thotë se ndeshja e mbrëmjes së sotme mes Shqipërisë dhe Serbisë është me emocione shumë të forta.
“Sa herë ka ndeshje mes komshinjve, komshinjtë mundohen t’i nxjerrin dhe sytë njeri tjetrit. Megjithatë pavarësisht kush fiton, me rëndësi më të madhe është që të fitojë qytetërimi që ne së bashku përfaqësojmë sot”, tha Rama.
Deklarata e kreut të qeverisë u bë sot gjatë një takimi me një grup studentësh serbë në kryeqytet.
Ai tha se për Shqipërinë është jashtëzakonisht e rëndësishme të fitojë mbi të gjitha imazhi i Shqipërisë, tradita e mikpritjes dhe respektit, jo vetëm për mikun edhe për kundërshtarin.
Rama u shpreh se nga lashtësia janë trashëguar shumë tradita se si duhet trajtuar edhe armiku, por nënvizoi se dy vendet nuk janë armike, por se në fushën e sportit janë kundërshtare, ndërsa jashtë saj duan të jenë miq.
Ai shprehu keqardhje që ditën e djeshme një djalë 14-15 vjeçar hodhi një gur ndaj skuadrës kombëtare të Serbisë, çka sipas tij tregon se sa shumë ka ende për të bërë dhe se pavarësisht se gjenerata tjetër mbart me vete etjen e madhe për ndryshim.
Sipas tij, rreziku i nacionalizmit dhe frymës së urrejtjes është i pranishëm edhe brenda një gjenerate tjetër, ndaj tha se duhet bërë gjithnjë e më shumë për edukimin dhe për njohjen e vlerave të bashkëjetesës.
“Uroj që gjithë ky udhëtim historik të përfundojë siç ka filluar dhe që rezultati të jetë i tillë për të ngjallur më shumë shpresë dhe bashkëpunim. Jemi shumë të vegjël për të qëndruar vetëm dhe për të mos bashkuar me njeri tjetrin. Rënia e kufijve mes nesh dhe gjithë vendeve të Ballkanit është një domosdoshmëri për të pasur një hapësirë më të madhe për kulturën dhe mirëqenien e gjeneratës tuaj dhe të tjerëve”, u shpreh Kryeministri.
Ai deklaroi se projekti i shkëmbimeve rinore që bashkë me Kryeministrin e Serbisë është vënë në lëvizje dhe u është propozuar edhe kryeministrave të tjerë të rajonit është i rëndësishëm.
Rama bëri me dije se ky projekt është frymëzuar nga shkëmbimet rinore të të rinjve francezë dhe gjermanë as luftës së dytë botërore, ndaj shprehu besimin se serbët dhe shqiptarët mund të bëjnë për Ballkanin atë që Franca dhe Gjermania bën për Europën.
“Shpresoj që pasi të ktheheni në Beograd t’u tregoni njerëzve që nuk patë asgjë që ishte ndryshe nga jeta e përditshme, më tej do ecim me projektin e dytë për të bërë një shkëmbim të rinjsh në administratë”, tha ai, duke informuar se një grup të rinjsh do të shkojnë për programin e intershipit në Serbi dhe anasjelltas./noa.al/