Ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Ilir Boçka ka refuzuar t’i përgjigjet ftesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë për të marrë notën e protestës së Serbisë me arsyetimin se asgjë nuk ka ndodhur.
Duke njoftuar për këtë veprim të kryediplomatit shqiptar në Beograd, B92 përcjell kumtesën e MPJ Serbisë, se “përkundër rregullave dhe praktikës diplomatike, ambasadori shqiptar Ilir Boçka, pas instruksioneve nga Tirana, ka refuzuar t’i përgjigjet ftesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme për të marrë notën e protestës së Serbisë, siç e quan kumtesa, për shkak të incidentit të rëndë dhe sulmit të përfaqësueses së Serbisë, me arsyetimin se asgjë nuk ka ndodhur”, transmeton Koha.net.
MPJ e Serbisë zotohet se për shkak të këtij veprimi të ambasadorit shqiptar, do të marrë masa përkatëse në përputhje me praktikën diplomatike.