Bordi Ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka nisur të mërkurën sesionin dhe në fillim të javës së ardhshme do të përcaktohet agjenda për temat që do të diskutohen deri në fund të këtij sesioni.
Mbledhja e këtij këshilli, pritet të zgjas deri me 22 tetor, për shkak se ka dhjetëra pika diskutimi në agjendë.
Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur bindjen se kërkesa për anëtarësimin e Kosovës në UNECO, do të votohet që të jetë në agjendën e çështjeve që do të shqyrtohen.
“Ne presim që, së pari, të hënën të votohet proceduralisht për futjen e Kosovës në agjendë, ndërsa diku kah 21 ose 22 (tetor) të votohet për substancë apo për rezolutën formale që rekomandon pranimin e Kosovës në UNESCO”.
“Kjo është një çështje procedurale, por që ka pastaj implikime edhe për votimin e mëtutjeshëm në Konferencën e Përgjithshme ( të UNESCO-s). Ne kemi sinjale optimiste nga shumë shtete dhe presim që këtë pjesë të betejës ta përfundojmë me sukses edhe pse ditëve të fundit propaganda serbe është shtuar përtej asaj që mund të quhet njerëzore”, tha zëvendësministri Selimi.
Ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se Serbia do ta kundërshtojë në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s vënien në rend të ditës temën e pranimit të Kosovës në këtë organizatë, si dhe vet pranimin.
Ai ka thënë se objektet e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, të cilat janë edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s, janë të rrezikuara..
“Nga kush janë të rrezikuara. Pikërisht nga ata që tash dëshirojnë të jenë pjesë e UNESCO-s. Kjo do të ishte një vendim vet-shkatërrues për UNESCO-n”.
“Kjo është sikur dikush të mendonte tash që ISIL apo Shteti Islamik, të bëhej anëtar i UNESCO-s, i cili po shkatërron të gjitha monumentet që ekzistojnë në botë. Ku është dallimi?” kishte pyetur Daçiq.
Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga homologu grek, Alexis Tsipras, që vendi i tij të mos votojë për pranimin e Kosovës në UNESCO.
Në njoftimin e Zyrës së Vuçiqit për Medie, është thënë se në bisedën që dy kryeministrat kanë pasur të mërkurën përmes telefonit, është biseduar edhe për Kosovën.
“Kryeministri Vuçiq e ka lutur kryeministrin Tsipras që Greqia të mos votojë për pranimin e Kosovës në UNESCO”, thuhet në njoftimin që e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Por, zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Selimi, vlerëson se reagimeve të autoriteteve të Serbisë ndaj mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, Kosova do tu përgjigjet vetëm me fushatë pozitive.
“Reagimet serbe janë midis çmendurisë dhe racizmit. Nuk kam fjalë që të shprehem lidhur me deklarimet e tyre që ‘Kosova është një gjë si ISIS-i’. Aq sa kemi kuptuar, shtetet evropiane dhe Amerika, tashmë kanë protestuar tek Serbia për gjuhën e përdorur karshi Kosovës”.
“Ndërsa, ne vazhdojmë me fushatën tonë pozitive, të fokusuar vetëm në promovimin e kulturës tonë, shkencës dhe nevojave në arsim, por pa i sulmuar shtetet fqinje”, tha zëvendësministri Selimi.
Pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, dhjetëra shtete kanë shprehur tashmë përkrahjen për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s.
Për rekomandimin pozitiv për Kosovën, në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s nevojiten votat e shumicës së thjeshtë apo 51 për qind e votave.
Më pas, në nëntor lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO do të votohet në Kuvendin e përgjithshëm, ku nevojiten dy të tretat e votave. /rel/