Sa shumë mall, sa dëshpërim, sa vuajtje, sa shumë dashuri ndjej për ty sonte, në këtë natë, i dashuri im! Sonte ëndrrat dhe kujtimet për ty i kam grumbulluar në shpirtin tim, në zemrën time. Më beso, ndihem e vetme në këtë botë të madhe, e humbur si një e huaj, në errësirën e harruar dhe e hidhur në një qoshe pa skaj.
Mes ëndrrash që dikur i pata, që jeta m’i ka ofruar njëherë kur isha me ty, e ndjej veten të dëshiruar për pak çaste, e për pak ngrohtësi, e për shumë dashuri. Tani në zemrën time mbretëron acari që më ngriu zemrën, e bëri akull! Sonte shoh një dorë që s’më bindet, shoh dy sy që të kërkojnë ty, i dashuri im! Ndjej një zemër që ndoshta s’më përket mua, ndjej dashuri që më përbin krejt trupin dhe pastaj shpirtin, mendimin, gjakun, nervat dhe çdo qelizë të qenies time. Ti, ndoshta, imagjinon ç’do të thotë të duash dikë në heshtje, në këtë largësi të mallkuar.
Eh, sa e sa orë e ditë më ikin duke të menduar ty! Netëve përpëlitem dhe ndjej shtrëngim në zemër. Lotët më rrjedhin pa pushim derisa bien rrezet e diellit mbi dritaret e dhomës sime, atëherë lotët teren nga ngrohtësia e rrezeve mbi fytyrën time. Fytyra jote trazon çdo gjë në shpirtin tim, më ngacmon fantazinë. Ngado që po hedh sytë, më duket se të shoh. Shoh buzëqeshjen tënde magjepsëse, buzët e ëmbla, sytë e shkruar./F.