Xhabir Hamiti, profesor i Shkencave Islame, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se elementet ekstreme nuk burojnë nga feja, por janë formë e besimit të verbër në fe.
“Feja e cila buron nga koncepti i shëndosh i besimit në Zot, nuk njeh as ekstremizëm e as radikalizëm. Ekstremizmi, gjegjësisht forma e verbër e interpretimit fetar, si dhe veprimet vulgare e të pamatura, janë hapa luftues të drejtpërdrejtë kundër Zotit dhe fesë hyjnore në përgjithësi”, ka shkruar ai.
Sipas Hamitit, ekstremizmi fetar në përgjithësi në Ballkan, por edhe veçanërisht në Kosovë, buron nga element të huaj me synim destabilizimin, transmeton Klan Kosova.
“Në Kosovë dhe në Ballkan ekstremizmi fetar shtyhet dhe nxitet nga qarqe të huaja, luhet përmes grupeve të caktuara vendore, kurse viktimë e tyre bien kryesisht qytetarët dhe besimtarët e rëndomtë, të cilët nuk janë në dijeni ose nuk kanë aftësi që të bëjnë dallimin mes parimeve të mirëfillta fetare dhe atyre të devijuara”, ka deklaruar profesori i shkencave islame.
Një arsye tjetër është po ashtu edhe gjendja e brishtë politike, sociale dhe ekonomike, e cila po mbizotëron në këtë rajon gati më shumë se dy dekada, e cila ua ka hapë derën shumë qarqeve që në emër humanizmit ose të bashkëpunimit vëllazëror ose bilateral , pa u ditur mirëfilltë adresa dhe synimet e tyre finale, të operojnë lirshëm në vendin tonë, por edhe në Ballkan në përgjithësi”, ka shkruar Hamiti.