Familja Ahmeti nga fshati Smolicë e komunës së Gjakovës, së cilës iu vra para dy vjetësh djali i tyre Aliu, nga xhaxhi Abazi, po e akuzon prokurorin e rastit, Agron Matjani se u korruptua në lidhje me këtë rast. Sipas familjarëve të të vrarit, prokurori Matjani është ai i cili të dyshuarin për vrasje, Abaz Ahmetin po e mbron, që ai të dënohet sa më pak të jetë e mundur.
Madje, familjarët janë të bindur se si shpërblim për këtë, i dyshuari për vrasjen e Aliut, i ka dhënë para prokurorit të rastit.
Familja e të ndjerit përmes avokatit të tyre Ndrec Dodaj, ka kërkuar nga kryeprokurorja në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Shpresa Bakija, që ky prokuror të largohet nga ky rast, mirëpo që nuk është marrë parasysh nga kjo e fundit.
Përkundër kërkesës së familjes së të vrarit Ali Ahmetit, në seancën që është mbajtur para 4 ditëve ka qenë prezent edhe prokurori Matjani. E, siç shprehen familjarët e të ndjerit, të cilët kanë rrëfyer për Gazetën Blic këtë ngjarje, dyshojnë se e përzier në dallavere është edhe vetë kryeprokurorja Bakija.
Motra e të ndjerit, Fatime Ahmeti ka thënë se “më të marrë kërkesën Kryeprokurorja, na ka thënë se ma nuk vjen në gjyq Matjani, po pas 3 dite kur ishte seanca, ai ka ardhur sërish”.
Shpresa Bakija mohon të ketë dallavere në këtë rast
Gazeta Blic, e ka kontaktuar edhe Kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Gjakove, Shpresa Bakija, të cilën e ka pyetur për kërkesën e lartpërmendur, dhe ajo e ka konfirmuar se ka marrë një kërkesë të tillë. Përkundër që ajo nuk e ka ndërruar prokurorin e këtij rasti, ajo ka deklaruar se e ka bërë punën e saj.
“Unë kam vepruar ashtu siç duhet me atë kërkesë”, është shprehur, Bakija.
Gjithashtu ajo ka larguar çdo përgjegjësi nga vetja se mund të këtë qenë e përzier në dallavere ashtu siç po pretendojnë familjarët e të vrarit Ali Ahmeti. “Unë s’kam asgjë në këtë rast, nuk jam e përzier”, ka thënë ajo, raporton gazetablic.com
Përveç Kryeprokurorës, Gazeta Blic e ka kontaktuar edhe prokurorin e rastit, të cilin familjarët po e akuzojnë se ka marrë para, Agron Matjani. Ai ka qenë shumë i shkurtër në deklaratën e tij dhënë për Gazetën Blic, duke mos dhënë detaje.
“Lënda është në Gjykatë edhe mos më shqetësoni për këtë farë punë”, ka thënë Matjani.
Familjarët e të ndjerit për Gazeta Blic kanë treguar që avokati i tyre ka kërkuar edhe nga prokurori Agron Matjani që të largohet nga ky rast, “por ky nuk tërhiqet”.
Mënyrën se si e kanë mësuar që prokurori Matjani është “shpërblyer” nga Abazi, xhaxhi i të ndjerit, e rrëfen kështu, motra e të ndjerit ekskluzivisht për Gazetën “Blic”.
“Abazi e ka ba llaf me një të afërm të familjes se ka arritur të gjejë një zgjidhje për këtë punë, duke e paguar me para Prokurorin Agron Matjani. Me pas, ai person që ka mësua prej Abazit që paska gjetur zgjidhje për këtë punë, na ka tregu neve”, thotë motra e të ndjerit, Fatime Ahmeti.
Fatime Ahmeti kërkon që të dënohet Abaz Ahmeti për këtë vrasje, si dhe prokurori Matjani të tërhiqet nga ky rast, nën dyshimin se mori para nga i dyshuari për vrasjen e Ali Ahmetit.
Gazeta Blic ka bërë përpjekje që të kontaktoj edhe me familjarët e të dyshuarit për vrasjen e Ali Ahmetit, por kontakti ka qenë i pamundur.
Historia e kësaj vrasjeje
Vrasje e Ali Ahmetit kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2013. Siç kishin raportuar mediet, gjithçka kishte nisi kur tashmë i ndjeri Aliu shkoi në shtëpinë e axhës pak metra larg për të sqaruar një problem të vjetër që këta dy kishin mes vete.
Hynë në një dhomë të shtëpisë. Ishte kjo dhomë ku nisi gjithçka. Për plot gjysmë ore axha me nipin u zunë me fjalë për motive ende të paqarta. E kulmi ishte kur nipi doli jashtë derës së shtëpisë.
Axhës, Abazit i mjaftoi veç edhe një fjalë e fundit e tij për të kryer një veprim jo fort të menduar. Abaz Ahmeti, nxori armën nga xhepi dhe gjuajti drejt nipin për ta lënë të vdekur në vend.
Vendi i krimit ishin shkallët e shtëpisë, pikërisht dera e hyrjes së shtëpisë së Abazit. / Gazeta Blic