Lugina bëhet me Asociacion

E publikuar: 13/09/2015 10:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltarët komunalë të Preshevës dhe Bujanocit kanë miratuar unanimisht propozim-vendimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës.
Në mbledhjen e përbashkët, 43 këshilltarët komunalë sa ishin të pranishëm, votuan pro Asociacionit, ndërsa mbledhjen e bojkotuan dy partitë opozitare: Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit dhe Unioni Demokratik Shqiptar i Ramiz Zylfiut.

Drejtuesit e këtyre dy komunave kanë thënë se Asociacioni po themelohet në shenjë reciprociteti me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Në mbledhjen e mbajtur në Kuvendin e komunës së Preshevës, pushtetarët thanë se nuk po kërkojnë as më shumë dhe as më pak të drejta sesa që kanë serbët në Kosovë.

Ata madje akuzuan pushtetin serb se nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës, për më tepër thanë se Qeveria e Serbisë me dhunë dhe terror ka tentuar t’i shpërngulë shqiptarët nga Lugina e Preshevës.

Në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë këshilltarët e Komunës së Medvegjës, pasi që kjo Komunë të dielën (sot) mban zgjedhje të parakohshme. /Zeri